Fli e qetë Penelopë

Plaka ime
Çeli sytë edhe njëherë
Po na vjen
Penelopa me Odisenë.
Po vjen nga deti i Homerit
Me këndu me ne
A me na marrë me vete
Në këngën e përjetshme
Për jetë e vdekje.
Penelopë,
Në sytë e trishtuar nga pritja
Kujtimi ndizet lehtë
Si yll që digjet vet
Sa here dëgjon një zë
A një fjalë që thërret.
Me sy e pashë
Penelopën dhe Odisenë
Mbështjellë me pëlhurë të hollë
Endur me ar
Po, po,
Penelopën dhe Odisenë
ballë për ballë
Në gjuhën e të parëve
Tek flisnin me mall.

Me mall fliste Penelopa
e kohës sime
E për çka nuk fliste
Si poeti për dhembjen
Dhe aktronte në Olimp
Mbi një gur
Shndriste si nur.

Penelopë e durimit
Me fatin e shkruar vet
Prite një jetë,
Prite
Me lot të fshehtë
Pa e thanë një fjalë
Hedhur në det.

Penelopa me Odisenë
Bashkë u banë
Të gjitha i thanë.
Vëlla
Bekim i bekuar
Në mes-jetën tonë
U pamë
Nuk do të vdes
Pa e thënë një fjalë
Bota le ta di
Jam Irenë Leleku
Shqiptare jam
Si ti.

Brenda rrethit të zjarrit

“Në një kohe mashtrimesh universale të thuash te vërtetën është një akt revolucionar” G. Orwel

Brenda rrethit të zjarrit
Jeta është me sy të mëdhenj
Ku askush nuk sheh
Fund.

Dragoi
Me zjarrin e gënjeshtrës
Së përjetshme
Po të pa je i vrarë,
Me krejt çka ke
Fis e farë’.
E nuk ngopet
As kur djeg
Për së gjalli
As kur e bënë copë
Një atdhe të copëtuar
Të rrethuar me shkumë
Derisa ta bëjë hi
Edhe frymën e fundit
Derisa ta bëjë shkrumb.
Në Filistinë
Humbën të gjithë
Të mbijetuarit
Të Auschvitz-it,
Të Mathuazen-it, te Dachao-s, te Nishit
Humbën fëmijët
Dhe fëmijët e fëmijëve
E të mbijetuarve
Që guxuan të flasin
E me shpirt të thërrasin
Për ndihmë
Humbën edhe shqiptarët
Miqtë e hebrenjve të vjetër
Nga ditët më të zeza..
Dhe të mbijetuarit
në Tivar, në Srebrenicë e në Prekaz
Humbi e gjithë njerëzorja
E mbijetuar
Në Gazë.
Nuk mund të duroj
Që ne po bëjmë
Atë që na bën ne
E tha ndërgjegjja
Me zë e tha
Miriam Margolyes:
Në Gaza
‘Hitleri fitoi
Ai na ndryshoi
Na bëri si vetën’
Ai fitoi.

Shkumë

I pari e ka thënë
I pari
Udhës së mbarë
Do rriteni shumë
Si shkumë.

Shpirt i njeriut
Që plakesh më shpejtë se trupi
Filistinë
Je
Në gojë të ujkut
Të hekurt
Nga të gjitha anët
E rrethuar
Me shkumë,
Shumë shkumë,
Shumë, shumë shkumë
Arabe!

Shkumë
E fjalës së pathënë
Që shuhet në breg të buzëve;
Shkumë kurorë
Mbi thyben e praruar
Që mbulon
Këmbët në një opingë!

Po digjesh për së gjalli
Bërë shkrum,
Për rreth
Vetëm shkumë,
Shumë shkumë,
Asgjë më shumë!

Qiproja sa larg aq afër

Qiproja është larg aq sa është afër!

Po të ishte flamuri
I gjakut
Të luftëtarëve të rreshtave të parë
Ballë për ballë
Sot
Në të dy cepat e Qipros
Do të valonte flamuri shqiptar.

Qipro,
Bota e di që nuk e di
Gjuhën e trimave të  mi
Nuk e flet, nuk e kupton
Njeriun
Që n’vijë të parë e flijon.
Njerëzit e mi
Arvanitas e Arnaut
Si lubi
Nga goja nxirrnin zjarr
I digjnin
Vëllezërit në front përball
Shenjëtar,
Më të mirët shenjëtar
Që qëllojnë vetveten
Në ballë
Për ta vrarë
Vëllain e gjakut e t‘gjuhës së vet
Bëhen mish për top
Njëri për turk e tjetri për grek
Medet!

Kur njeriu e shet shpirtin
Mbetet rob
Edhe po u bë mbret!

Shpirt i robit njëherë!
Shpirt i robit përherë!

Qiproja është afër aq sa është larg! 

P.S.
Pesëdhjetë e një vjetori i luftës dhe i ndarjes së Qipros. Në vijën e parë, në të dy anët e frontit
luftuan shqiptarët (Arvanitasit dhe Arnautët).

Srebrenica  jonë

A ka njeri
Që nuk i dhemb shpirti
Kur dëgjon
Për Srebrenicën?
Shpirti më dhemb
Si për Tivarin,
Për Mejen,
Për Reçakun ...

Përkulem para jush
Mentarët e mi
Lexuat
Mendjën e tërbueme,
Ndaluat
Edhe një Tivar pas Tivarit,
Një Srebrenicë
Para Srebrenice!
Tivari im, Srebrenica ime.

E di pse këndon qyqja

Kryq e tërthor i rashë Shqipërisë
ta gjeja një njeri
që kërkoja
që ruan kthjelltësinë e krojeve e krenarinë
e majave, nuk qëllon në ballë njeriu që do
të ngrihet mbi vetveten,
për inat
nuk bëhet Dri
që ndan përgjysmë edhe trupin e tij.

E di pse këndon qyqja!

Është mirë të dihet kush është
më i vjetër se historia,
Lekën e Madh kush e lindi
Shën Hjeronimi ynë
Krishterimit udhë i hapi në Iliri
Te-Deumin e meshës së të dielës
kush e shkroi,
Gonxhja çeli, u lut dhe shkoi,
Për Prishtinën
koha është
ta kuptojmë atë që dimë,
ku jemi nisur
pse nuk mbërrijmë,
Për Vlorën, kush e preu orēn,
Mbi Prishtinë cilët shtinë,
Currit jetën kush ia curroi,
Gurakuqit ballin kush ja skuqi...

E di pse këndon qyqja

Përderisa vetë ta qëllojmë njeriun
që Dora e zezë e huqi
përderisa nuk e largojmë urrejtjen
me dashuri nga shpirti
a të bëhemi tok,
a të bëhemi tokë!

'Fjala', Janar-Shkurt, '99, Prishtinë

Filistinë, qaj për mua

Zonjë e madhe
Me vdekjen më afër se këmisha
E grisur në trup,
Qan me ngashërim
Deri në kup të qiellit,
Filistinë qaj edhe për mu'
Nuk e thashë një fjalë nga ferri
Me t'shpëtu'.

Nuk ka fjalë
Që e mban dhembjen tënde.

Ditën për diell
Në çdo hap bie një nënë,
Në çdo hap një fëmijë bie
Me shikim kah qielli,
Pas tij bie edhe një tjetër,
Edhe një...
Edhe një...
Përbindëshat nuk fshihen më,
E thanë,
"Të gjithë... të shkojnë në hanë"
Deri në frymën e fundit.
- Fryma e fundit e njerëzimit!

Filistinë, qaj edhe për mu',
Nuk e thashë një fjalë
Nga ferri me t'shpëtu'.

Nuk ka fjalë që nuk thyhet
Nga pesha,
Si një fije bari, te këmbët
E dhembjes sate,
E të mos ngritet përsëri.

Qielli mbi kokë
Ndal frymën,
Dritën në fund të syve
Me t'shpëtu
Filistinë,
Ti shtrijë duart nga këtu.

Cry for me, Palestine

Great lady
With the death closer than a torn shirt
on the body
Who weeps with aching sobs that reach the havens,
Palestine, cry for me too
I spoke no word from hell
To save you.

There are no words
That can hold the weight of your pain.

In broad daylight
At every step a mother falls,
At every step a child falls looking
Toward the sky,
Behind him another falls,
And another...
And another...

The monsters hide no more,
They said "All can go... to the moon"
Until the last breath.
- The last breath of humanity.

Palestine, cry for me too,
I spoke no word
From hell to save you.

There are no words
that do not break under the weight
like a blade of grass,
At the feet of your sorrow
And not rise again.

The sky above
Holds its breath,
To save the light at the end
Of your eyes
Palestine
My hands reach out for you!

Danubi i kuq

Kolon në kolonë
Shkoni kah keni ardhë
Të gjunjëzoheni nga frika
Para totemit tuaj
Të fundit e të parë.

Udhës
Mos pini ujë nga toka
Ujë mos pini
Nëse nuk keni ma etje
Të pini gjak
Shqiptar
Që rrjedh nga dhembja
E fëmijëve
Nga frigoriferi i mbytur
Në Danubin e kuq
Që dridhej e dridhej
Nuk ka mundur ta përbijë,
Nuk ka mundur ta fsheh krimin,
Më të tmerrshëm se tmerri,
Që i zuri frymën,
E i mbet në fyt,
Më nuk mundi të qetësohej
Humbi besimin në njeri.
Rrjedh nga sytë e kaltër
Të vashave
Te lidhura me gur rreth qafe
Hedhur në bunar
Mbyt, për së gjalli mbyt,
Veç pse ishin shqiptarë.

Sa vështirë me folë!

Mos pini ujë nga toka
Një herë ju thash,
Se bëheni me gjak
Ka të ngjarë
Të hani njeri-tjetrin
Si ujqit
Mjafton një njollë e kuqe
Në fytyrën e tjetrit
Për ta parë.
Sa vështirë me folë,
Dhe kujt po i flas!?