Botën e zgjove
Adem i Prekasit,
Rrënjë e zjarrtë e fisit
Krahu i djathtë i visit
Flakë e feniksit,
Hije të ka maja e plisit
Mbi ballin e prijësit.
Si kurorë e lisit!
Jeta është fjala më e lirë
Erdhën bashkë me natën.
Erdhën nga përrallat
E zeza bizantine
Të mos lënë gjë pa bërë.
Në Grand i mbanin varur fjalët
Nuk i shërbejmë shqiptarët,
Kroatët,
e qentë.
E qentë si policia ndërseheshin
Mbi fëmijët e zjarrtë
Pse nuk u shuan
Edhe pasi i dogjën me Sarin e Tabun,
E detyroheshin t’i gëlltisnin fletët e librit
me to po u zunë,
Do t’a pësojnë më keq se fëmija
që me thikë
ia shkruan katër S në kraharor,
Më keq se vajza që i këputën veshin
bashkë me vath,
Se mësuesi që e mbytën në polici
pse u mësonte shkronjat fëmijëve
E me to pastaj do të bënin: Liri!
Jeta jonë është fjala më e lirë serbe.
Erdhën bashkë me natën
Të mos lënë gjë pa bërë
Po ta shkelin tokën e shkrumbojnë
çka lëviz kokën ia shkurtojnë
po ta zunë ditën t’i nxjerrin sytë
-me tre gishta të verbojnë
në vatrën tënde po të behet zotëri
sheh vdekjen me sy
fqiun e vet e lidh së pari
dorën e djathtë që ushqente zogjët
e penës, ia këput duke qeshur
dhe vazhdon rituali,
që nuk kënaqet kurrë
as kur rrjep për së gjalli.
O Zot ku je?!
Ec e ço rrëfimin deri në fund
me fjalë që kullojnë – hata
sa edhe bota e shurdhët dëgjoi
ata janë në gjendje të bëjnë gjithçka.
Nga frika se do mbijë jetë e re,
Me ditë kufomat s’lejohen të varrosen as në arë,
fëmijë, gra, pleq shpërndarë,
dhe foshnja
thith gjiun e nënës së vrarë.
Edhe në natën më të zezë
Yjet ndrijnë,
ndrijnë më shumë!
(Botuar në: ‘Gazetë e re Shqiptare’, 3 Mars 1999)
Liqeni
Këtu ishte liqe, Iliri
Shkrimet e gurta thonë
Priti e më priti
E nuk shkoi
Lamtumirë pa më thënë,
Edhe unë
Këtu do e pres
Le të vijë kur të vijë
Me një frymë
Kuajt e bardhë do t’i shalojë përsëri.
DY FJALË
Dy fjalë pa shpirt,
Një pa kokë.
Fehmi Agani dhe Universiteti
Ky vit shkollor shënon edhe jubileun e Universitetit të Prishtinës me mësim në gjuhën shqipe, të themeluar në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Sa herë që shënojmë këtë ngjarje, e cila shënon hapin e madh përpara në lëvizjen tonë kombëtare, meritat iu shkojnë edhe themeluesve të Universitetit tonë si: Profesorët Ali Hadri, Mark Krasniqi, Hasan Mekuli, Idriz Ajeti, Dervish Rozhaja, Gazmend Zajmi me bashkëpunëtorë nga radhët e studentëve dhe të profesorëve si Fehmi Agani, i pari nga të njëjtit. Fehmi Agani ishte pjesë e vijës së parë të themelimit, të ngritjes, të zhvillimit dhe të mbijetesës së Universitetit të Prishtinës, deri në frymën e fundit të tij. Universiteti i Prishtinës që nga themelimi, u shndërrua në qendër të lëvizjes sonë kombëtare për të drejta të barabarta deri në çlirimin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Demonstratat e 68-tës dhe Hapja e Universitetit të Prishtinës shënojnë dy nga ngjarjet kulmore, te kësaj periudhe, ku profesor Fehmi Agani ishte ndër protagonistët kryesorë.
Fehmi Agani,si intelektual humanist i angazhuar, ka bashkëpunuar ngushtë edhe në organizimin e revoltës së studentëve në demonstrata të ’68 – siç rrëfen Ilaz Pireva, një nga organizatorët. Ishin këto demonstrata për të drejta të barabarta të shqiptarëve në ish-RSFJ. Agani u angazhua në artikulimin dhe mbrojtjen e kërkesave të tyre të drejta dhe legjitime për hapjen e Universitetit në gjuhën shqipe. Në funksion të mbrojtjes dhe afirmimit të kërkesave për barazi dhe për hapjen e Universitetit në gjuhën shqipe boton punimin ‘Universitetit dhe krahina’, edhe në revistën Përparimi, (1969, Nr. 8, f. 587- 592.) punimin ‘Universitetit dhe krahina’, që shquhet për përmbajtjen kritike, argumentimet e sintezat në mënyrë shkencore, punim që ishte me peshë të veçantë për jo vetëm për rrethanat e kohës. Që në fillim të punimit autori thekson se “Kushtet e reja shoqërore po shtrojnë detyra dhe kërkesa të reja edhe para shkollimit të lartë. Ato kërkojnë ndryshime të caktuara strukturale dhe procesuale të këtij shkollimi, po shtrojnë kërkesa dhe nevoja të reja lidhur me të. Shkollimi i lartë askund…nuk mund t’i injorojë proceset që rrjedhin nga tendencat e shoqërisë bashkëkohore, nuk mund të ketë drejtim dhe zhvillim divergjent me drejtimin dhe ritmin e zhvillimit shoqëror përgjithesisht. Kompletimi dhe konsolidimi i shkollimit të lartë, drejtë të cilit po shkojmë, është rrjedhim logjik i zhvillimit…” Në këtë kohë në fakultetet e Kosovës studionin 10.000 studentë dhe autori shtron pyetjen: a mos duken shumë për Kosovën relativisht të pazhvilluar, prej 1,2 milion banorë. Për tu pergjigjur prerazi: “Jo, kurrsesi” dhe për të vazhduar se “…kjo nuk është dukuri e vetmuar, por është shprehje e veçantë e një procesi të zhvillimit intenziv të shkollimit të lartë…Me shtatë universitete, pa të Prishtinës që po konstituohet, me mbi 100 fakultete dhe mbi 100 studentë ne 10.000 banorë mesatarisht, Jugosllavia qysh para disa vjetësh zu vendin e tretë në botë përkah numri i studentëve në përpjesëtim me popullsinë…”. Çdo tezë dhe argument i ngritur në mënyrë sistematike në këtë punim, të botuar në një revistë publike, është pararojë e procesit të konstituimit të Universitetit të Prishtinës nga proveniencat hegjemoniste zyrtare të kohës, që humbjen e privilegjeve të tyre, e përjetonin dhe e paraqitnin zëshëm si humbje të barazisë.
Këto teza antishqiptare do të shprehen në gazetën ditore “Politika’, Beograd, e afërt me qarqet zyrtare serbe, që në faqen e parë do botojë shkrimin se shqiptarëve “Ju morem pushkët e ju dhamë topat” – dihet se çka na kanë dhënë: pushtim e vrasje masive deri në gjenocid e shfarosje të shqiptarëve në territorin me mbi 1000 fshatra me popullsi shqiptare në Serbi. Pronat e këtyre fshatrave edhe sot janë me ‘ Tapia ‘ në pronësi të trashigimtarëve të familjeve shqiptare, që duhet shtruar për zgjidhje në bazë të ligjeve ndërkombtare; Deri më 1878, vetëm në territorin e Sanxhakut të Nisht, kanë qenë 998 fshatra të banura me shumicë shqiptare – Toplica me 372 fshatra, Nishi, kryeqyteti i Sanxhakut, me 248 fshatra, Vranja me 189 fshatra sa edhe Piroti, që është në kufi me Bullgarinë. Këto fshatra i ruajmë, brez pas brezi, si mbiemra tanë kudo ku jetojmë si : Nishliu, Kurshumliu, Toplica, Vranja, Bllaca, Pllana, apo mbiemri Muhaxheri, që është më i përhapuri, dhe pa përjashtim, përfshinë të shpërngulurit e detyruar të shqiptarëve nga vatrat e tyre nga pastrimi etnik dhe gjenocidi shtetror serb….; Asimilimi i dhunshëm i shqiptarëve e konvertimi në serb dhe në konfesionin ortodoks, që të arrijnë të mbijetojnë nga terrori shtetëror, të një pjese të konsiderueshme të shqiptarëve edhe të konfesionit katolik edhe atij islam, ka qenë aq masiv sa që sot konsiderohet se mbi 1/3 e qytetarëve në Serbi nuk munden të jenë serb pa qenë njëherë shqiptar vetëm bazuar në asimilimin e kësaj periudhe nga viti 1878 e pas, duke përjashtuar asimilimet e mëhershme. Mbiemri i përhapur Arnautoviq tek qytetarët serb, apo fillimi i deklarimeve publike të serbeve të afirmuar për prejardhjen e tyre shqiptare, në ditët e sotme, në vitin 2020, kur një pjesë e madhe e qytetarëve që jetojnë në Serbi deklarohen vetëm privatisht, por nuk guxojnë të deklarohen publikisht për përkatësinë apo prejardhjen e tyre shqiptare, shenojnë vetëm pjesën e dukshme të akullnajës së çështjes; Poashtu në Mal të Zi 50 % e popullsisë, pra gjysma e qytetarëve malazez janë me përkatësi ose origjinë shqiptare (Stipe Shuvar, Ligjeratë, Fakulteti Filosofik, Universiteti i Zagrebit, 1981); Ngjashëm ndodh edhe me asimilimin masiv të shqiptarëve në serb apo boshnjak në Kosovë, në Sanxhak përkatësisht në Pazarin e Ri/ Novi Pazar në kuadër të Serbisë; Apo në maqedonas në Maqedoninë e Veriut, duke imponuar tani këtë proces mbi bazën e religjonit të njejtë: shqiptar musliman në boshnjak musliman apo shqiptar ortodoks në maqedonas. Në të gjitha rastet politikat kolonialiste zyrtare serbe, pavarësisht prej ngjyrave të regjimeve, që nga themelimi i tyre, ishin dhe janë subjekte të këtyre krimeve shtetrore masive ndaj popullsisë autoktone shkaku i përkatësisë etnike shqiptare.
Punimi i botuar i Fehmi Aganit është mbrojtje edhe ndaj paragjykimeve të nivelit mamutian të deputetit maqedonas, të proviniences hegjemoniste, Llazar Kolishevski, thënë në Parlament në Beograd, se: ’Në Prishtinë po ngritet një universitet mamutian’. Ndërsa ne kishim numrin më të vogël të studentëve për kokë banori, përkundër moshës më të re të banorëve, në krahasimi me të gjitha kombet e tjera. Mësimi po ashtu, në fakultete zhvillohej në dy gjuhë: në gjuhën shqipe përkatësisht në atë serbokroate.
Në këto kushte, thekson Agani, shkollimi universitar nuk është një privilegje shoqërore, por shprehje e nevojës së shoqerisë; se shkollimi universitar medoemos bëhet masiv e në mësimi perspektivë edhe shkollimi për të gjithë, në funksion të sigurimit të kuadrove e të lidhjes me jetën ekonomike e shoqërore.
Një mision po kaq i rëndësishëm i qendrës univerzitare, thekson Agani, është funksioni i saj kultural dhe shkencor, në ngritjen e kuadrove te popullsisë shqiptare, që përbën shumicën, “…në at nivel që të munden në mënyrë kompetente e të barabartë, ‘të rrëfejnë – rrëfimin e vet” si do të kishte thënë Kerlezha, për të gjitha aspektet e jetës së tyre, të kaluar e të sotme”.
Në mjediset shumë kombëtare universiteti duhet të realizojë “me forcën e kuadrove dhe të argumenteve të tij tolerancën e plotë dhe barazinë, jo deklarative, por krijuese dhe të vërtetë. Pa këtë barazi, që është edhe barazi e gjuhëve dhe e shkrimeve si edhe barazi kadrovike dhe kërkimore, as mund të bëhet fjalë për ngritjen dhe zhvillimin e frytshëm te qendrave univerzitare…” Por, kompletimi dhe konsolidimi i qendrës universitare, nënvizon Agani, duhet të marr formën e vet të caktuar institucionale, dhe konkludon: “Universiteti është pikërisht kjo formë.”
Konstituimi i Universitetit të Prishtinës – “për hir të afirmimit të rezultateve të arritura dhe të mundësive të sotme e të ardhshme…, për hir të organizimit më të mirë, të drejtimit më të mirë, e më racional të mundësive tona mësimore e shkencore, që nuk janë aq të mëdha…për të eliminuar ca lidhje të vjetruara,të tejkaluara nga zhvillimi ynë shoqëror i gjertanishëm…sepse,çdo eliminim i lidhjeve të tejkaluara, qoftë edhe kur ato përkujtojnë relacione të dikurshme të sub-dhe supa ordinimit, vetëm hapin rrugën për relacione të reja…ne mes te institucioneve të shkollimit të lartë të qendrave të ndryshme”, për kontakte, komunikim dhe bashkëpunim më të shëndoshë – konkludon Agani në mënyrën më racionale dhe më të vendosur të mundshme për kohën, kur çdo fjalë e ‘papërshtatshme’ për sistemin gjykohej nga politika si vepër armiqësore, e për çdo vepër armiqësore rrezikohej edhe jeta.
Kërkesat më të zëshme për themelimin e universitetit të Prishtinës vinin pikërisht nga Profesor Fehmi Agani me disa nga kolegët e tij si Gazmend Zajmi, Ali Hadri, Mark Krasniqi, Hasan Mekuli, Dervish Rozhaja etj. Ishin këta profesorë që i dhanë emër gjeneratës së vet të studimeve në Beograd, që ishin kalitur në kushte të pabarabarta të trajtimit, dhe kishin arritur zgjidhjen se vetëm duke qenë më të mirët e gjeneratës, munden të barazohen me ‘ata’, prej të cilëve cilësoheshin si “ata. Ishte Profesor Gazmend Zajmi plot vetëbesim, që në atë kohë përmendet se e dinte jo vetëm Leksikonin e Vujaklise, se fliste qartë e rrjedhshëm në gjuhën serbokroate, angleze e franceze si në gjuhën amtare, që shkruante poezi e kompozonte në gjuhën e Betovenit si Noli ynë; Ishte Profesor Mark Krasniqi që për suksesin e treguar gjatë studimeve, e kishin zgjedhur asistent në Akademinë Serbe të Shkencave dhe Arteve – të cilën e braktisi për tu kthyer në Prishtinë; Ishte Profesor Hasan Mekuli, që me sharmin e tij kur dialogonte a ligjëronte, letërsinë botërore, por edhe letërsinë jugosllave, studiuesit e shkrimtarët e Jugosllavisë i linte me gojë hapur; Ishte Dervish Rozhaja, nga doktorët më të rinjë në ish-Jugoslavi, që shkuarja e tij në provime gjatë studimeve në Universitetin e Beogradit, ishte ngjarje e shënuar, që i mrekullonte të gjithë me përgjigjet e thella dhe profesionale – që i vlerësonin madje edhe profesorët që nuk mund ta shihnin në sy, për shkak të përkatsisë së tij kombëtare. Ndërsa amfiteatrot e mëdha nuk i zinin studentët e të gjitha fakulteteve, nga kureshtja për përgjigjet e tij. Ishte Profesor Agani, i cili në vitet e tetëdhjeta përmendej me respekt, për dijen dhe mençurinë, për zotrimin e dialogut e për thellsitë e sintezave të tij.
Që në vitet e tetëdhjeta, Profesor Nikolla Qingo, Univerziteti i Shkupit, shoku gjeneratë së Fehmiut në studime të rregullta në Beograd si dhe në studime postdipomike, deklaron publikisht para disa studentëve të vet shqiptar, sic dëshmon njëri prej tyre, Avdi Behrami, veprimtari i mirënjohur , se po të kishte Kosova tre-katër veta si Fehmi Agani pavarësinë e ka të sigurtë. Njohësit e mirë të Profesor Fehmiut , si Profesor Qingo, maqedonas me prejardhje shqiptare, e ka parashikuar dhe e ka thënë një të vërtetë.
Prej mesit të viteve të shtatëdhjeta kur kam filluar bashkëpunimin dhe miqësinë e vazhdueshme me Profesor Aganin, për çka ndihem i privilegjuar dhe krenar, Profesor Agani ka qenë poashtu në ballë të çdo lëvizjeje intelektuale, politike dhe shoqërore për mbrojtjen dhe çlirimin e vendit.
Profesor Fehmi Agani i ka vënë themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me Sali Çekajn -prijësin e komandantin e parë të grupit të parë të organizuar të ushtrisë sonë që theu kufirin shqiptaro-shqiptar në Dhjetor të vitit 1991, bashkëpunëtorin e çmuar dhe mikun e vet, në takimet gjithëditore sy me sy Shtutgart, në Maj/Qershor të vitit 1991. Deri në takime është shoqëruar nga Shiqeri Azemi, sociolog, ish-student i besushem i Profesor Aganit, bashkëpunëtor i tij dhe Sali Çekajt dhe veprimtar i shquar.
Autoriteti integrues i Profesor Aganit, thjeshtësia e tij deri në madhështi, urtësia deri në vendosmëri për flijim në interes të së mirës e kundër të keqes, për liri e kundër çdo barbarie, do ti mungojë njerëzores dhe Republikës sonë çdo ditë e më shumë.

Miku im
Dymijë vjet shkuan miku im
E dita pa ty nuk paska fund,
A mbet ndonjë yll pa u shuar
Kur qielli ra e bota u tund!
Heroi për Heronjtë
Profesor Fehmi Agani njihet si udhëheqës me autoritet integrues i lëvizjes për Republikën e Kosovës, i lëvizjes paqësore aktive për pavarësi e deri te lufta për çlirimin e Kosovës. Autoriteti i tij ka mundësuar bashkëpunimin dhe bashkimin në një lëvizje paqësore aktive në mes të krahut ‘të majtë’ dhe krahut ‘te djathte”, qe ai i shihte si krahët e një trupi. Ka pas bashkëpunim me një rreth të gjerë veprimtarësh të çështjes kombëtare. Profesor Fehmi Agani ka pas bashkëpunim më të ngushtë me Heroin Sali Çekajn. Përmes Profesorit jam njoftuar edhe unë me Saliun, për të vazhduar bashkëpunimin kryesisht në Gjermani, ku vepronte në një rreth veprimtarësh të shquar patriotik e intelektual si: Hafiz Gagica, Donika Gërvalla, Agim Kamberi me shumë të tjerë, përkatësisht në Shqipëri.
Herën e fundit jam takuar me Sali Çekajn, strategun e luftës së UCK-se dhe luftës në Koshare, të shoqëruar nga Agim Ramadani, në Tiranë, në periudhën në mes konferencës së Rambujesë – siç e ka shënuar takimin edhe Saliu në ditarin e vet të luftës.
I matur, i përgjegjshëm dhe i vendosur si përherë, që në fillim të bisedës e pat shprehur brengën e madhe për ushtrinë çlirimtare brenda territorit të Kosovës të stacionuar rreth Koshares.: “Qe shtatë ditë ushtria në front na ka mbet pa bukë e kryeministri i Kosovës na end rrugëve, nuk na jep mbështetjen e nevojshme materiale për armatim e barna…”, si dhe brengën se ndërprerja e përkohshme e bisedimeve në Rambuje do të jetë një mundësi më shumë për ri pozicionimin e forcave serbe në Kosovë, me pasoja të papara për popullatën.
Në të ndarë, duke ditur edhe admirimin dhe respektin e madh të Saliut për Profesor Fehmiun, me të cilin mbante komunikimin e vazhdueshëm, madje edhe nga pozicionet vëzhguese në front, premtova se do angazhohem që së shpejti, në kohë të përshtatshme për ta, kur të vijnë për furnizime, do provoj që të takohemi së bashku edhe me Profesorin, që po ashtu fliste me plotë respekt për Saliun. Në këtë takim të përzemërt fjalët e fundit ishin të Agimit (Ramadanit): Të fala Profesorit për të cilin kam respekt të veçantë edhe unë. I thuani që herën e ardhshme ne do ju takojmë në Prishtinë dhe kafet e para do ti pimë së bashku.
Një ditë më vonë u takova me Profesorin në Prishtinë, si zakonisht në mëngjes, dhe bisedat i zhvillonim kryesisht duke ecur. Ja përcolla të falat e përzemërta të Saliut dhe Agimit, por edhe brengat e tyre dhe vështirësitë që ju krijoheshin nga ata qe do duhej ti përkrahnin – Brenga që nuk ishin diçka e re për te. Me që nuk njiheshin me Agimin (Ramadanin), Profesori më pyeti: si tu duk?… Më kujtohet që iu përgjigja, në mes tjerash: Agimi (Ramadani) edhe si ushtarak, edhe si njeri e edhe si patriot mu duk si me qenë shpirt binjak me Saliun (Çekajn), sa të qetë aq edhe me karakter të fortë.
“E po atëherë i thuaj se me pa durim pres që me te dhe Saliun të pimë kafe në Prishtinë. Dhe thuaju le të nguten, mos të na presin kafet” më tha Profesori me stilin e tij origjinal dhe të papërsëritshëm të komunikimit.
Lufta u përshkallëzua edhe me. Prishtina si krejt Kosova pothuajse u zbraz. Profesori me zonjën e tij Sadijen dhe djalin e madh, Mentorin, ende nuk kishin bërë ball ta lëshojnë shtëpinë e vet në Prishtinë – tregonin gjatë takimeve Zonja Sadije me Mentorin.
Në lajmet e TV Tiranës Profesori dëgjon për vrasjen e Agimit (Ramadanit) dhe Saliut (Çekajt).
Si shpirt njeriu që ishte dhe nga dhembja e madhe për vrasjen e ushtarëve të mëdhenj të lirisë, Profesori shkrehet në vaj. Të shqetësuar për gjendjen e Profesorit, zonja dhe djali shpejtojnë ta ndihmojnë.
Çka ka ndodhë Fehmi? – e pyet Zonja e tij. – Është vrarë Sali Çekaj dhe Agim Ramadani, përgjigjet Profesori. Emri i Sali Çekajt ka qene i njohur për familjen e Profesorit.
– Po kush është Agim Ramadani- vazhdon me pyetje. Profesori i përgjigjet: Nuk e kam njohur personalisht por Agimi (Hyseni) më ka folur për te. Duke provuar ta qetësojë Profesorin, në at gjendje të rëndë që e ka pare duke dënesur, bashkëshortja e tij vazhdon: ‘Po si po qanë kështu për njeriun që nuk e ke njohur? ‘Po vriten me mija e ti po qan për dy ’Përgjigja e Profesorit, në at gjendje të rëndë ka qenë: ‘E lumja ti që nuk e di se çfarë burrash kemi humbur sot”, duke e përsëritur në mes të dënesjeve:
’Lum njerëzit që nuk e dinë se kush është vrarë sot’!
Këto ishin nga fjalët e fundit të Heroit për Heronjtë.
Është yni
(Në kujtim të Profesor Fehmi Aganit)
Thua se nuk ka më të shenjtë,
Më të shenjtë nuk ke parë
Që vijnë e ndajnë me ty
Gëzimin a pikëllimin që ke në sy.
Hëna kur bie,
Me një frymë të fluturojnë
Ëndrrën ta ndriçojnë
Me krahët e bardhë
Të ta çelin udhën
Me shpatën e paparë
Ujin e madh mes për mes për ta çarë.
Është Yni. Nuk është
Hera e parë që njeriu nuk bën ballë
Të shoh një Yll më lart
Se vetën.
Ani çka në shkriu jetën
Ballë për ballë me djall
Kur ne e kafshonim gjuhën
Që asnjë fjalë mos të na dal.
Vallë,
A nuk ka vend në qiell për të gjithë
Yjet që duan.
Ylli ynë natën ndriçoi
Fjala e tij natën shkurtoi
E zgjati ditën,
Pas çdo fjale zgjatej jeta
Plot dashuri.
Për çka është shkri’’
Deri në buzëqeshjen e fundit
Që mbulonte dhembjet e qiellit të ti’
Deri në frymën e fundit ndriçoj udhën
Të cilës vetë i kishte pri.
Treni i ndryshkur, treni i zi
Që e pat mësuar rrugën
Njëqind vjet sa njëmijë
Mes për mes varreve të,të parëve të mi
Duke hedh në qiell, duke hedh në det
Jetën e fundit në vatrën e vet,
Serbia, e zeza
I hodhi në tokë për m’i tretë
Ata pak që kishin mbetë
Pa frymë , pa nur
Djemtë mbështetur për mur
Dikush nuk heshti
U ngrit dikush
Dhe vetën ofroj,
Fëmijët e panjohur t’i shpëtojë.
Unë jo, ti jo, askush
Përveç tij,
Zogjtë që sapo kishin çelur sytë t’i lirojë
Në qiell fluturoi.
Aiii
A ka njeri që nuk e di
Emrin e tij.

Fole një fjalë
(Fehmi Aganit)
Fole një fjalë
Profesor
Fjalë që shëron,
Kurrë s’kemi pasur më pak
Kurrë s’kemi pasur më shumë
Plagë kur çdo unazë lëngon.
Fole një fjalë burrë i dheut
Si shkove udhës
Që të tjerët rrinin duke e ëndërruar
Me sy çelë e me sy mshelë,
kahdo që shkove
nga një kullë e ngrite,
Zogjtë i mësove të këndojnë,
të këndojnë shqip
Që përgjithmonë të jetojnë
Të lirë.
Udhës the, ruaju nga vetja
kur je në paqe me vetveten
Me të tjerët lehtë e ke,
Kah do që të shkosh
Merre rrugën për atdhe
Dëgjo,
Veten kush s’di ta dëgjojë,
S’di të dëgjojë as të tjerët
Shiko,
Veten shiko në sy,
kur nuk të shikon askush,
Në do të dish të vërtetën
A je vet apo tjetërkush.
Kur ta kesh mundur veten
Kur t’i kesh fituar të gjitha
Jetën e fjalës së fundit që shëron
Vazhdo sërish udhën e njeriut
Që kurrë nuk u ngi frymë,
Që nuk ka çka të humbë.
Fjala është jetë, Jeta është fjalë
Një fjalë
Fjal’ që peshon në vend të vet
Kush nuk mund ta luaj.
O më thuaj edhe njëherë,
Miku im,
Më thuaj ç’kemi të re,
Profesor,
fole një fjalë.
Ligjëronte si ai.
Para se ta shuanin
Barbarët.
Prishtinë, 1999.
Greva në arsim dhe zgjidhja
Sistemi arsimor është pjesë përbërëse e shoqërisë që shpreh sfidat, ngritjet dhe rëniet e saj si dhe kahet e zhvillimit. Arsimi në botë po mplaket më shpejtë se arsimtarët. Por çfarë është gjendja në Kosovë? Arsimi në Kosovë sot është në gjendje shumë të mirë, madje është në gjendje të shkëlqyeshme në raport me vitin dhe vitet vijuese. Kjo gjendje pasqyrohet dhe bazohet në trajtimin institucional dhe rangimin aktual të arsimit, në vendin që e ka në ligën e prioriteteve institucionale: e dyta në radhë – nga fundi. Gjendja e arsimit pasqyrohet në statusin e arsimtarit që nuk mundet ti shkolloj fëmijët e vet.
Pozita në të cilën e kemi sjell ne arsimin, duke shkelur dëshirat dhe ëndrrat e nxënësve dhe qytetarëve për shkollim, flet për pasojat e mësimeve të trashëguara nga kolonializmi, tash të shqipëruara. Të gjithë ne dhe shumë të tjerë më të mirë se ne, që nuk janë në mesin tonë, arritëm të ruajmë një sistem të tërë arsimor nga “Ata” por, dështuam ta mbrojmë arsimit nga Ne, nga qytetarët e shoqërisë sonë. Në këto pozitë në të cilën e kemi sjellë veten, ne, lufta ka me qenë si me e ruajt këtë nivel të arsimit që e kemi. Shumica e liderëve dhe partive politike nuk kanë pse të përmenden. Vërtet, pse të përmenden? Po ne, arsimtarët? Po qytetarët?
Arsimi si prioritet qeveritar kosovar nënkupton jo vetëm proklamimin e interesimit por edhe planifikimin, zhvillimin i strategjisë së sistemit arsimor cilësor nga institucionet shtetërore në raport me nevojat dhe kërkesat e tregut. Nënkuptohet zbatimi në praktikë i strategjisë zyrtare për zhvillimin e arsimit. Interesimi i proklamuar nuk ka munguar asnjëherë. Madje për marrjen e këtij dikasteri, vazhdimisht ka pasur konkurrencë të fortë në mes të partnerëve qeveritar, ka pasqyruar edhe vazhdon të shprehë fuqinë e partisë në koalicionin qeveritar. Duke ditur interesimin dhe vullnetin e qytetarëve për arsim, të njohur në shkallë botërore si rezistencë paqësore aktive kundër aparteidit shkollor në Kosovë, si të mos shfrytëzohet, si mbulesë, ky vullnet i nxënësve dhe arsimtarëve e prindërve, si të lëshohen nga dora të gjitha ato mundësi dhe investime kapitale në arsim, për shkolla, konvikte e pajisje të tjera materiale në sistemin më të madh publik në vend. Interesimi i proklamuar për arsim cilësor, d.m.th. për subjekt, për shkollarë ka qenë maskë e përkthyer në praktikë si interesim për objekte, për shkolla- të drejta të rezervuara qeveritare. Objektet pra shkollat duhet emëruar me emrat më të nderuar, që dhanë gjithçka, edhe jetën, për çlirim të vendit. A ka krim të rënde se sa të vritet i vrari, heroi, atdhetari, përmes keqpërdorimit të emrave të tyre… A janë atdhetarë ata që i kryejnë këto vepra?! Nëse dikush e di që janë keqpërdorur emrat më të mëdhenj të kombit si emra shkollash në lagje, në fshatin a qytetin ku jetojmë, dhe heshtim, madje i zgjedhim keqbërësit, atëherë jemi bashkëfajtorë, dhe i kemi përfaqësuesit që i meritojmë. ‘Populli që zgjedh politikanët e korruptuar nuk është viktimë, por është bashkëpunëtor’.(George Orwell)
‘Meritor’ për këtë gjendje deri më sot janë Ministrat e arsimit, pa përjashtim, që nga i pari e deri te i parafundit. Të shpresojmë që aktualja të ndryshoi. Përveç meritave të përgjithshme për gjendjen në shoqëri ‘meritat’ më të mëdha për gjendjen në arsimin e lartë i takojnë të parit të vendit, pavarësisht nga pozita si Kryetar partie, Kryeministër apo President, pa pëlqimin e të cilit deri në këtë vit shkollor nuk ka patur mundësi të zgjidhet në mënyrë të pavarur një rektor i vetëm i një universiteti ‘autonom dhe i pavarur’ në vend. Por, ndoshta këtë nuk e dinë akademikët e profesorët universitetit të Prishtinës a më gjerë – përndryshe do të reagonin. Po nëse e dijnë e heshtin! As intelektuali nuk është më siç ishte dikur!
Sa më e lartë që ka qenë thirrja dhe titulli i Ministrit të arsimit aq më të larta kanë qenë ‘meritat’ për gjendjen aktuale në arsim.
Pa merita, si duket nuk jam as unë si Zëvendësministër i arsimit, për një mandat.(2008-2011), pavarësisht se kam pranuar detyrën me shpresë që të ndikoje nga brenda kalasë qeveritare në interes të arsimit. Kam shpresuar të kontribuoj si edhe më parë si anëtarë i Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës në Prishtinë gjatë okupimit. Të gjitha projektet a idetë modeste të paraqitura më janë përkrahur nga kabineti: studimi pa shkëputje nga puna e arsimtarëve; Avancimi në karrierë i arsimtarëve; Përzgjedhja, përmes konkurrencës së vlerave të përformancës, dhe mirënjohja institucionale e arsimtarëve më të suksesshëm të vitit; Këshilla që në Universitetin e Prizrenit, në formim e sipër, mund t’i hapim, jo më shumë se dy- tri katedra, por të ngritura me standarde evropiane; Çështja e integrimit të teksteve dhe arsimit në gjuhën shqipe në rajon…Por, asnjëra nga propozimet nuk është realizuar siç është miratuar! Po ndalem te kërkesë e paraqitur që në fillim të mandatit tim, çështje e zbatimit të obligimit për shpërndarjen e teksteve falas për nxënës të Republikës, të përkrahur nga kabineti po ashtu njëzëri. Organizojmë konferencë për shtyp në emër të MASHT me të ftuar Drejtorët komunal të arsimit, ekspertë të fushës dhe media. Në fjalën e rastit theksoj rëndësinë e zbatimin të ligjit me vendimin për fillimin e shpërndarjes falas; Rëndësinë e kulturës së leximit që nuk kemi pasur mundësi që ta zhvillojmë normalisht; Zhvillimin e kulturës së ruajtjes së librit si vlerë; si dhe në fund, jo për nga rëndësia, zhvillimin e vetëdijes shtet formuese përmes librit dhe institucionalizimin e solidaritet në mes të nxënësve – ngase librat bazë do përdoren nga nxënësi për një vit shkollor për ty kthyer pastaj të padëmtuar në shkollë dhe kështu të fitojnë të drejtën që i njëjti/a të marr librat falas të klasës vijuese. Mesatarisht një libër cilësor do të përdoret 10 vite shkollore. Është kjo praktikë e vendeve më të zhvilluara demokratike.
Prej asaj kohe, për nja 10 vite, ne që zëmë nga vendet e fundit në Evropë për lexim të librit shënojmë nga vendet e para për hedhjen e librave të rinj. “Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim”, do thoshte Visar Zhiti, por tani jo me veprat e diktatorit por me tekste të reja mësimore. Deri më tash do kishim kursyer rreth 60.000 000 (Gjashtëdhjetë milion Euro) dhe nxënësit do vazhdonin të furnizoheshin me libra falas, do ngritej kultura e leximit si dhe cilësia në arsim.
Prandaj, projekti ideor, -e jo praktika e zbatuar në Kosovë me vite radhazi,- që shquhet për të mirë edhe nga Shqipëria edhe nga Mali i Zi, patjetër që vlen të konsiderohet.
‘Meritor’ për këtë gjendje janë në radhë të parë veprimet e paramenduara të krerëve të Institucioneve – por jo për interes të qytetarit as të cilësisë në arsim. A thua a ka ‘merita’ për këtë gjendje në arsim edhe një profesor akademik, një mjek a zyrtar qeveritar apo joqeveritar, një gazetar, një prind fëmija i të cilit i ka marr dy vite me radhë librat e rinj– pa i kthyer librat e klasës paraprake dhënë po ashtu falas? Kjo ndodhë në një nga vendet më të varfëra evropiane! Për heshtje të madhe ndaj këtij fenomeni së shpejti do te vijmë në gjendje që , fatkeqësisht, askujt mos ti shpërndahen tekstet falas; Nëse shpenzohen mjete pa përgjegjësi minimale në një ‘imtësi’ si kjo normalisht se nuk do ketë burime të mjaftueshme për paga të merituara të arsimtarëve. Po për motivimin institucional për avancim në karrierë përmes vlerësimit profesional të përformancës? Prandaj, opinioni se për aq sa arsimtarëve, mjekëve, punëtorëve do t’u epen pagat e merituara për aq do të zvogëlohen gjasat për keqpërdorime të buxhetit – si në shembullin konkret. Pse? Sepse rrogën e arsimtarit të garantuar me ligj nuk mundet askush ta kushtëzoj me ‘dhënien vullnetare’ të 10 apo 20 apo 30 apo 40 apo 50 apo 60%-shit.
Në çfarë pozite do ta vëmë prindin, përfshi arsimtarin që nuk mundet të shkolloj fëmijët e vet? Nëse prindi detyrohet, bie fjala, a do t’iu blej, secilit nga 3 fëmijëve të vet, çdo fillim viti librat e rinj – apo do ti blej vetëm për njërin ndërsa të tjerët do të shërbehen me librat e përdorur nga anëtarët më të mëdhenj të familjes. Nëse në këtë mënyrë racionale veprojmë në familje pse këtë kulturë nuk e kërkojmë ta ngremë në kulturë shtetërore? A mos është koha të pyesim dhe të vazhdojmë të pyesim pse, duke u nisur nga vetja si prind, si qytetar.; A mos është koha që secili të përfshihet zëshëm në dialog të madh social? Nëse vazhdojmë të presim që dikush tjetër të na prijë atëherë tepër mirë jemi, ‘për momentumin.’ Liderët historik të shtetit tonë u vranë ose vdiqën. Këta të gjallët nuk po ndihen bash mirë.
Ndonëse mendoj që nënshkrimi i memorandumit parazgjedhor për bashkëpunim i SBASHK me PAN ka qenë gabim që nuk duhet të përsëritet, një gur i vogël i sprovës së shtet ndërtimit mbi baza ligjore dhe të përgjegjësisë ndaj fjalës e premtimit publik është realizimi, mbajtja e fjalës dhe zgjidhja urgjente e kërkesës së arsimtarëve të vendit me tri opsionet e mundshme të SBASHK. Tejkalimi i vetvetes nga të dyja palët: të Qeverisë dhe të SBASHK-ut, në një takim brenda ditës sipas traditës demokratike të Lindjes së largët, takim nga i cili nuk dilet pa e gjetur marrëveshjen e arsyeshme, do të shënonte një hap në zhvillimin e vetëdijes shtete formuese dhe një model të mirë për zgjidhjen e sfidave të ngjashme.
Proklamimet në trajtën: “Nëse greva nuk ndërpritet dhe nxënësit vazhdojnë të humbasin orët mësimore, Komuna e Mitrovicës do të kërkoj staf mësimor vullnetar për ta mbajtur mësimin në shkolla” , nuk përkojnë me teorinë dhe praktikën vetëdijen demokratike për angazhimin e secilit për gjetjen e zgjidhjes, në pajtim me ligjet në fuqi.
Perspektiva teorike e këtyre praktikave shprehet në mënyrë origjinale nga Bertrol Brecht, në poezinë e tij( në një shqipërim të lirë): Zgjidhja
/Pas kryengritjes së 17 qershorit/ Sekretari i Bashkimit të Shkrimtarëve/ Kishte shpërndarë fletë qarkorë në Stalinal/ Ku deklaronte se njerëzit/ Kishin humbur besimin e qeverisë/ Dhe mund ta fitonin atë vetëm/ Me përpjekje të dyfishuara. A nuk do të ishte më e lehtë/ Për qeverinë në këtë rast/ Që të shpërndajë njerëzit/ Dhe të zgjedh njerëz të tjerë?
Këto proklamime ngjajnë me teori dhe praktika të tejkaluara nga vet mësimdhënësit në të kaluarën jo të largët të vendit tonë. Se si duhet angazhuar secili për të ndihmuar gjetjen e zgjidhjes, deri në gjetjen e zgjidhjes më të arsyeshme, na tregon vepra dhe veprimtaria e figurave të ndritshme nga Komuna e Mitrovicës si bashkëpunëtori e miku ynë Agim Hajrizi apo kolegu e profesori i nderuar Latif Berisha.
Dua të shpresoj që edhe Kryetari në fjalë, edhe të gjithë që duam një zgjidhje racionale të çështjes do të angazhohen e të ndihmojmë procesin deri në zgjidhje.
Meritor për gjendjen e krizës në arsim deri më sot janë Ministrat dhe ministritë e arsimit, pa përjashtim, që nga e pari e deri te i parafundit.
Ata që e kanë shkaktuar krizën nuk munden të zgjidhin krizën
në arsim . Pavarësisht çfarë pozita kanë. Por, kanë obligim, si të gjithë të tjerët, të angazhohen pandërprerë për gjetjen e zgjidhjes, urgjentisht, deri në gjetjen e zgjidhjes së arsyeshme në interes të nxënësve, në radhë të parë, si dhe të edukatoreve, arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të vendit.