Kushtuar Enver Malokut
(E vranë më 11 Janar 1999)
Zgjohu Enver
Zgjohu vëlla
Zgjohu e shih
Kush ka ardhë
Me të pa
Profesor Agani
Vet i njëqindëti
Të nderon mbi kry’
Me dorë në zemër
E lot të ngrirë në sy
Vëlla më i miri i motrës
Vëlla.
Motra qan e qan
E qan vendin, e qan vëllanë
U dogj për fjalët
Që dritën e panë
Çdo dritë një dhëmbje
Një dhëmbje mbanë.
Motra qan
Qan e qan
Bashkë me qiellin
Loti s’pranë
Për vëllanë që ja vranë.
Oda mban frymën
Lum miku më thuaj
Si e thërrisni ujkun
Në anën tuaj?
Bëheni sikur nuk e dini
Të vërtetën e madhe
Për nesër e shtyni
Heshtni si nata
Që s'di të zbardhë
Mbyllni sytë
Veten
Për të mos e parë?
Oda mban frymën.
Ujkun nuk e thërrasim
Mik
Vjen vetë
Pa e thirrë
Dihet
A vjen për të mirë.
Zini ujkun
Serbi
Zini ujkun
Totemin e rrejshëm
Ma mirë vonë se kurrë
Zini ujkun e zi
Shpëto
Shpëto njeri
Para se të të përbijë
Errësira
Errësira jote
Para se të të përbijë.
Sytë mbi Sarajevë
Bota pa
Safarin njerëzor
Dhe heshti fuqishëm
Asgjë nuk tha
Nga frika
Se në syrin e dylbisë
Mbi Sarajevë
Veten ka me e pa.
Njëqind fytyra
Karrika
Me vargjet e Ali Podrimes
Shkon më shumë
Në gjuhën e përkthyesit
Me titull
"Sto lica".
Njëqind fytyra.
Kurrë nuk është vonë
Me kuptu
Gjuhën e poetit
Titulli
Do të thotë
Njëqind fytyra.
Fli e qetë Penelopë
Plaka ime
Çeli sytë edhe njëherë
Po na vjen
Penelopa me Odisenë.
Po vjen nga deti i Homerit
Me këndu me ne
A me na marrë me vete
Në këngën e përjetshme
Për jetë e vdekje.
Penelopë,
Në sytë e trishtuar nga pritja
Kujtimi ndizet lehtë
Si yll që digjet vet
Sa here dëgjon një zë
A një fjalë që thërret.
Me sy e pashë
Penelopën dhe Odisenë
Mbështjellë me pëlhurë të hollë
Endur me ar
Po, po,
Penelopën dhe Odisenë
ballë për ballë
Në gjuhën e të parëve
Tek flisnin me mall.
Me mall fliste Penelopa
e kohës sime
E për çka nuk fliste
Si poeti për dhembjen
Dhe aktronte në Olimp
Mbi një gur
Shndriste si nur.
Penelopë e durimit
Me fatin e shkruar vet
Prite një jetë,
Prite
Me lot të fshehtë
Pa e thanë një fjalë
Hedhur në det.
Penelopa me Odisenë
Bashkë u banë
Të gjitha i thanë.
Vëlla
Bekim i bekuar
Në mes-jetën tonë
U pamë
Nuk do të vdes
Pa e thënë një fjalë
Bota le ta di
Jam Irenë Leleku
Shqiptare jam
Si ti.
Brenda rrethit të zjarrit
“Në një kohe mashtrimesh universale të thuash te vërtetën është një akt revolucionar” G. Orwel
Brenda rrethit të zjarrit Jeta është me sy të mëdhenj Ku askush nuk sheh Fund. Dragoi Me zjarrin e gënjeshtrës Së përjetshme Po të pa je i vrarë, Me krejt çka ke Fis e farë’. E nuk ngopet As kur djeg Për së gjalli As kur e bënë copë Një atdhe të copëtuar Të rrethuar me shkumë Derisa ta bëjë hi Edhe frymën e fundit Derisa ta bëjë shkrumb.
Në Filistinë
Humbën të gjithë
Të mbijetuarit
Të Auschvitz-it,
Të Mathuazen-it, te Dachao-s, te Nishit
Humbën fëmijët
Dhe fëmijët e fëmijëve
E të mbijetuarve
Që guxuan të flasin
E me shpirt të thërrasin
Për ndihmë
Humbën edhe shqiptarët
Miqtë e hebrenjve të vjetër
Nga ditët më të zeza..
Dhe të mbijetuarit
në Tivar, në Srebrenicë e në Prekaz
Humbi e gjithë njerëzorja
E mbijetuar
Në Gazë.
Nuk mund të duroj
Që ne po bëjmë
Atë që na bën ne
E tha ndërgjegjja
Me zë e tha
Miriam Margolyes:
Në Gaza
‘Hitleri fitoi
Ai na ndryshoi
Na bëri si vetën’
Ai fitoi.
Shkumë
I pari e ka thënë
I pari
Udhës së mbarë
Do rriteni shumë
Si shkumë.
Shpirt i njeriut
Që plakesh më shpejtë se trupi
Filistinë
Je
Në gojë të ujkut
Të hekurt
Nga të gjitha anët
E rrethuar
Me shkumë,
Shumë shkumë,
Shumë, shumë shkumë
Arabe!
Shkumë
E fjalës së pathënë
Që shuhet në breg të buzëve;
Shkumë kurorë
Mbi thyben e praruar
Që mbulon
Këmbët në një opingë!
Po digjesh për së gjalli
Bërë shkrum,
Për rreth
Vetëm shkumë,
Shumë shkumë,
Asgjë më shumë!
Qiproja sa larg aq afër
Qiproja është larg aq sa është afër!
Po të ishte flamuri
I gjakut
Të luftëtarëve të rreshtave të parë
Ballë për ballë
Sot
Në të dy cepat e Qipros
Do të valonte flamuri shqiptar.
Qipro,
Bota e di që nuk e di
Gjuhën e trimave të mi
Nuk e flet, nuk e kupton
Njeriun
Që n’vijë të parë e flijon.
Njerëzit e mi
Arvanitas e Arnaut
Si lubi
Nga goja nxirrnin zjarr
I digjnin
Vëllezërit në front përball
Shenjëtar,
Më të mirët shenjëtar
Që qëllojnë vetveten
Në ballë
Për ta vrarë
Vëllain e gjakut e t‘gjuhës së vet
Bëhen mish për top
Njëri për turk e tjetri për grek
Medet!
Kur njeriu e shet shpirtin
Mbetet rob
Edhe po u bë mbret!
Shpirt i robit njëherë!
Shpirt i robit përherë!
Qiproja është afër aq sa është larg!
P.S.
Pesëdhjetë e një vjetori i luftës dhe i ndarjes së Qipros. Në vijën e parë, në të dy anët e frontit
luftuan shqiptarët (Arvanitasit dhe Arnautët).
Fqinji im
O fqinji im
Me plis të bardhë
Pa na ba
Siç ju kemi ba
Shqipes
Krahët nga trupi me ja nda,
Veç në andërr
Ditën tande
Mundesh me e pa!
Barbar nji herë,
barbar përherë!