Heroi për Heronjtë

Profesor  Fehmi Agani njihet si udhëheqës me autoritet integrues i lëvizjes për Republikën e Kosovës, i lëvizjes paqësore aktive për pavarësi e deri te lufta për çlirimin e Kosovës. Autoriteti i tij ka mundësuar bashkëpunimin dhe bashkimin në një lëvizje paqësore aktive në mes të krahut ‘të majtë’ dhe krahut ‘te djathte”, qe ai i shihte si krahët e një trupi. Ka pas bashkëpunim  me një rreth të gjerë veprimtarësh të çështjes kombëtare. Profesor Fehmi Agani ka pas bashkëpunim më të ngushtë me  Heroin Sali Çekajn. Përmes Profesorit jam njoftuar edhe unë me Saliun, për të vazhduar bashkëpunimin kryesisht në Gjermani, ku vepronte në një rreth veprimtarësh të shquar patriotik e intelektual si: Hafiz  Gagica, Donika Gërvalla, Agim Kamberi me shumë të tjerë, përkatësisht në Shqipëri.

Herën e fundit jam takuar me Sali Çekajn, strategun e luftës së UCK-se dhe luftës në Koshare,  të shoqëruar nga Agim Ramadani, në  Tiranë, në  periudhën  në  mes konferencës së Rambujesë – siç e ka shënuar takimin edhe Saliu në ditarin e vet të luftës.

I  matur, i përgjegjshëm dhe i vendosur si përherë, që në fillim të bisedës e pat shprehur brengën e madhe për ushtrinë çlirimtare brenda territorit të Kosovës të stacionuar rreth Koshares.: “Qe shtatë ditë ushtria në front na ka mbet pa bukë e kryeministri i Kosovës na end rrugëve,  nuk na jep mbështetjen e nevojshme materiale për armatim e barna…”, si dhe brengën se ndërprerja e përkohshme e bisedimeve në Rambuje do të jetë një mundësi më shumë për ri pozicionimin e forcave serbe në Kosovë, me pasoja të papara për popullatën.

Në të ndarë, duke ditur edhe admirimin dhe respektin e madh të Saliut për Profesor Fehmiun, me të cilin mbante komunikimin e vazhdueshëm, madje edhe nga pozicionet vëzhguese në front, premtova se do angazhohem që së shpejti, në kohë të përshtatshme për ta, kur të vijnë për furnizime, do provoj që të takohemi së bashku edhe me Profesorin, që  po ashtu fliste me plotë respekt për Saliun. Në këtë takim të përzemërt fjalët e fundit ishin të Agimit (Ramadanit): Të fala Profesorit për  të cilin kam respekt të veçantë edhe unë. I thuani që herën e ardhshme ne do ju takojmë në Prishtinë dhe kafet e para do ti pimë së bashku.

Një ditë më vonë u takova me Profesorin në  Prishtinë, si zakonisht në mëngjes, dhe bisedat i zhvillonim kryesisht duke ecur. Ja përcolla të falat e përzemërta të Saliut dhe Agimit, por edhe brengat e tyre dhe vështirësitë që ju krijoheshin nga ata qe do duhej ti përkrahnin – Brenga që nuk ishin diçka e re për te. Me që nuk njiheshin me Agimin (Ramadanin), Profesori më pyeti: si tu duk?… Më kujtohet që iu përgjigja, në mes tjerash: Agimi (Ramadani) edhe si ushtarak, edhe si njeri e edhe si patriot mu duk si me qenë shpirt binjak me Saliun (Çekajn), sa të qetë aq edhe me karakter të fortë.

“E po atëherë i thuaj se me pa durim pres që me te dhe Saliun të pimë kafe në Prishtinë. Dhe thuaju le të nguten, mos të na presin kafet” më tha Profesori me stilin e tij origjinal dhe të papërsëritshëm  të  komunikimit.

Lufta u përshkallëzua edhe me. Prishtina si krejt Kosova pothuajse u zbraz. Profesori me zonjën e tij Sadijen dhe djalin e madh, Mentorin, ende nuk kishin bërë ball ta lëshojnë shtëpinë e vet në Prishtinë –  tregonin gjatë takimeve  Zonja Sadije me Mentorin.

Në lajmet e TV Tiranës Profesori dëgjon për vrasjen e Agimit (Ramadanit) dhe Saliut (Çekajt).

Si shpirt njeriu që ishte dhe nga dhembja e madhe për vrasjen e ushtarëve të mëdhenj të lirisë, Profesori shkrehet në vaj. Të shqetësuar për gjendjen e Profesorit, zonja dhe djali shpejtojnë ta ndihmojnë.

Çka ka ndodhë Fehmi? – e pyet Zonja e tij. – Është vrarë Sali Çekaj dhe Agim Ramadani, përgjigjet Profesori. Emri i Sali Çekajt ka qene i njohur për familjen e Profesorit.

– Po kush është Agim Ramadani- vazhdon me pyetje. Profesori i përgjigjet: Nuk e kam njohur personalisht por Agimi (Hyseni) më ka folur për te. Duke provuar ta qetësojë Profesorin, në at gjendje të rëndë që e ka pare duke dënesur, bashkëshortja e tij vazhdon: ‘Po si po qanë kështu për njeriun që nuk e ke njohur? ‘Po vriten me mija e ti po qan për dy ’Përgjigja e Profesorit, në at gjendje të rëndë  ka qenë: ‘E lumja ti që nuk e di se çfarë burrash kemi humbur sot”, duke e përsëritur në mes të dënesjeve:

’Lum njerëzit që nuk e dinë se kush është vrarë sot’!

Këto ishin nga fjalët e fundit të Heroit për Heronjtë.

Është yni

(Në kujtim të Profesor Fehmi Aganit)

Thua se nuk ka më të shenjtë,

Më të shenjtë nuk ke parë

Që vijnë e  ndajnë me ty

Gëzimin a pikëllimin që ke në sy.

Hëna kur bie,

Me një frymë të  fluturojnë

Ëndrrën  ta ndriçojnë

Me krahët e bardhë

Të ta çelin udhën

Me shpatën e paparë

Ujin e madh mes për mes për ta çarë.

Është Yni.  Nuk është

Hera e parë që njeriu nuk bën ballë

Të shoh një Yll më lart

Se vetën.

Ani çka në shkriu jetën

Ballë për ballë me djall

Kur ne e kafshonim gjuhën

Që asnjë fjalë mos të na dal.

Vallë,

A nuk ka vend në qiell për  të  gjithë

Yjet që duan.

Ylli ynë natën ndriçoi

Fjala e tij natën shkurtoi

E zgjati ditën,

Pas çdo fjale zgjatej jeta

Plot dashuri.

Për çka është shkri’’

Deri në buzëqeshjen e fundit

Që mbulonte dhembjet e qiellit të ti’

Deri në frymën e fundit ndriçoj udhën

Të cilës vetë i kishte pri.

Treni i ndryshkur, treni i zi

Që e pat mësuar rrugën

Njëqind vjet sa njëmijë

Mes për mes varreve të,të parëve të mi

Duke hedh në qiell, duke hedh në det

Jetën e fundit në  vatrën e vet,

Serbia, e zeza

I hodhi në  tokë për m’i tretë

Ata pak që kishin mbetë

Pa frymë , pa nur

Djemtë mbështetur për mur

Dikush nuk heshti

U ngrit dikush

Dhe vetën ofroj,

Fëmijët e panjohur t’i shpëtojë.

Unë jo, ti jo, askush

Përveç  tij,

Zogjtë që sapo  kishin çelur sytë t’i lirojë

Në qiell fluturoi.

Aiii

A ka njeri që nuk e di

Emrin e tij.

Profesor Fehmi Agani dhe Agim Hyseni
Profesor Fehmi Agani dhe Agim Hyseni

Fole një fjalë

(Fehmi Aganit)

Fole një fjalë

Profesor

Fjalë që shëron,

Kurrë s’kemi pasur më pak

Kurrë s’kemi pasur më shumë

Plagë kur çdo unazë lëngon.

Fole një fjalë burrë i dheut

Si shkove udhës

Që të tjerët rrinin duke e ëndërruar

Me sy çelë e me sy mshelë,

kahdo që shkove

nga një kullë e ngrite,

Zogjtë i mësove të këndojnë,

të këndojnë shqip

Që përgjithmonë  të jetojnë

Të lirë.

Udhës the, ruaju nga vetja

kur je në paqe me vetveten

Me të tjerët lehtë e ke,

Kah do që të shkosh

Merre rrugën për atdhe

Dëgjo,

Veten  kush s’di ta dëgjojë,

S’di të dëgjojë as të tjerët

Shiko,

Veten shiko në sy,

kur nuk të shikon askush,

Në do të dish të vërtetën

A je vet apo  tjetërkush.

Kur ta kesh mundur veten

Kur t’i kesh fituar të gjitha

Jetën e fjalës së fundit që shëron

Vazhdo sërish udhën e njeriut

Që  kurrë nuk u ngi frymë,

Që nuk ka çka të humbë.

Fjala është jetë, Jeta është fjalë

Një fjalë

Fjal’ që peshon në vend të vet

Kush nuk mund ta luaj.

O më thuaj edhe njëherë,

Miku im,

Më thuaj ç’kemi të re,

Profesor,

fole një fjalë.

Ligjëronte si ai.

Para se ta shuanin

Barbarët.

Prishtinë, 1999.

Greva në arsim dhe zgjidhja

Sistemi arsimor është pjesë përbërëse e shoqërisë që shpreh sfidat, ngritjet dhe rëniet e saj si dhe kahet e zhvillimit. Arsimi në botë po mplaket më shpejtë se arsimtarët. Por çfarë është gjendja në Kosovë? Arsimi në Kosovë sot është në gjendje shumë të mirë, madje  është në gjendje  të shkëlqyeshme në raport me vitin dhe vitet vijuese. Kjo gjendje pasqyrohet dhe bazohet në trajtimin institucional dhe rangimin aktual të arsimit, në vendin që e ka në ligën e prioriteteve institucionale: e dyta në radhë – nga fundi. Gjendja e arsimit pasqyrohet në statusin e  arsimtarit që nuk mundet ti shkolloj fëmijët e vet.

Pozita në të cilën e kemi sjell ne arsimin, duke shkelur dëshirat dhe ëndrrat e nxënësve dhe qytetarëve për shkollim, flet për pasojat e mësimeve të trashëguara nga kolonializmi, tash të shqipëruara. Të gjithë ne dhe shumë të tjerë më të mirë se ne, që nuk janë në mesin tonë, arritëm të ruajmë një sistem të tërë arsimor nga “Ata” por, dështuam ta mbrojmë arsimit nga Ne, nga qytetarët e shoqërisë sonë. Në këto pozitë në të cilën e kemi sjellë veten, ne, lufta ka me qenë si me e ruajt këtë nivel të arsimit që e kemi. Shumica e liderëve dhe partive politike nuk kanë pse të përmenden. Vërtet, pse të përmenden? Po ne, arsimtarët?  Po qytetarët?

Arsimi si prioritet qeveritar kosovar  nënkupton jo vetëm proklamimin e interesimit por edhe planifikimin, zhvillimin i strategjisë së sistemit arsimor cilësor nga institucionet shtetërore në raport me nevojat  dhe kërkesat e tregut. Nënkuptohet zbatimi në praktikë i strategjisë zyrtare për zhvillimin e arsimit. Interesimi i proklamuar nuk ka munguar asnjëherë. Madje për marrjen e këtij dikasteri, vazhdimisht ka pasur konkurrencë të fortë në mes të partnerëve qeveritar, ka pasqyruar edhe vazhdon të shprehë  fuqinë e partisë në koalicionin qeveritar.  Duke ditur interesimin dhe vullnetin e qytetarëve për arsim, të njohur në shkallë botërore si rezistencë paqësore aktive kundër aparteidit shkollor në Kosovë, si të mos shfrytëzohet, si mbulesë, ky vullnet i nxënësve dhe arsimtarëve e prindërve, si të lëshohen nga dora  të gjitha ato mundësi dhe investime kapitale në arsim, për shkolla, konvikte e pajisje të tjera materiale në sistemin më të madh publik në vend. Interesimi i proklamuar për arsim cilësor, d.m.th. për subjekt, për shkollarë ka qenë maskë e përkthyer në praktikë si interesim për objekte, për shkolla- të drejta të rezervuara qeveritare. Objektet pra shkollat duhet emëruar me emrat më të nderuar, që dhanë gjithçka, edhe jetën, për çlirim të vendit. A ka  krim të rënde se sa të vritet i vrari, heroi, atdhetari, përmes keqpërdorimit të emrave të tyre… A janë atdhetarë ata që i kryejnë këto vepra?! Nëse dikush e di që janë keqpërdorur emrat më të mëdhenj të kombit si emra shkollash në lagje, në fshatin a qytetin ku jetojmë, dhe heshtim, madje i zgjedhim keqbërësit, atëherë jemi bashkëfajtorë, dhe i kemi përfaqësuesit që i meritojmë. ‘Populli që zgjedh politikanët e korruptuar nuk është viktimë, por është bashkëpunëtor’.(George Orwell)

  ‘Meritor’ për këtë gjendje deri më sot janë Ministrat e arsimit, pa përjashtim, që nga i  pari e deri te i parafundit. Të shpresojmë që aktualja të ndryshoi. Përveç meritave të përgjithshme për gjendjen në shoqëri ‘meritat’ më të mëdha  për gjendjen në arsimin e lartë i takojnë të parit të vendit, pavarësisht nga pozita si Kryetar partie, Kryeministër apo President, pa pëlqimin e të cilit deri në këtë vit shkollor nuk ka patur mundësi të zgjidhet në mënyrë të pavarur një rektor i vetëm i një  universiteti ‘autonom dhe i pavarur’ në vend. Por, ndoshta këtë nuk e dinë akademikët e profesorët universitetit të Prishtinës a më gjerë – përndryshe do të reagonin. Po nëse e dijnë e heshtin!  As intelektuali nuk është më siç ishte dikur!

Sa më e lartë që ka qenë thirrja dhe titulli i Ministrit të arsimit aq më të larta kanë qenë ‘meritat’ për gjendjen aktuale në arsim.

Pa merita, si duket nuk jam as unë si Zëvendësministër i arsimit, për një mandat.(2008-2011), pavarësisht se kam pranuar detyrën me shpresë që të ndikoje nga brenda kalasë qeveritare në interes të arsimit. Kam shpresuar të kontribuoj si edhe më parë si anëtarë i Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës në Prishtinë gjatë okupimit. Të gjitha projektet a idetë modeste të paraqitura më janë përkrahur nga kabineti:  studimi pa shkëputje nga puna e arsimtarëve; Avancimi në karrierë i arsimtarëve;  Përzgjedhja, përmes konkurrencës së vlerave të përformancës, dhe mirënjohja institucionale e arsimtarëve më të suksesshëm të vitit; Këshilla që në Universitetin e Prizrenit, në formim e sipër, mund t’i hapim, jo më shumë se dy- tri katedra, por të ngritura me standarde evropiane; Çështja e integrimit të teksteve dhe arsimit në gjuhën shqipe në rajon…Por, asnjëra nga propozimet nuk është realizuar siç është miratuar! Po ndalem te kërkesë e paraqitur që në fillim të mandatit tim, çështje e zbatimit të obligimit për shpërndarjen e teksteve falas për nxënës të Republikës, të përkrahur nga kabineti po ashtu njëzëri. Organizojmë konferencë për shtyp në emër të MASHT me të ftuar Drejtorët komunal të arsimit, ekspertë të fushës  dhe media. Në fjalën e rastit theksoj rëndësinë e zbatimin të ligjit  me vendimin për fillimin e shpërndarjes falas; Rëndësinë e kulturës së leximit  që nuk kemi pasur mundësi që ta zhvillojmë normalisht; Zhvillimin e kulturës së ruajtjes së librit si vlerë; si dhe në fund, jo për nga rëndësia, zhvillimin e vetëdijes shtet formuese përmes librit  dhe institucionalizimin e solidaritet në mes të nxënësve – ngase librat bazë do përdoren nga nxënësi për një vit shkollor për ty kthyer pastaj të padëmtuar në shkollë  dhe kështu të fitojnë të drejtën që i njëjti/a të marr librat falas të klasës vijuese. Mesatarisht një libër cilësor do të përdoret 10 vite shkollore. Është kjo praktikë e vendeve më të zhvilluara demokratike.

Prej asaj kohe, për nja 10 vite, ne që zëmë nga vendet e fundit në Evropë për lexim të librit shënojmë nga vendet e para për hedhjen e librave të rinj.  “Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim”, do thoshte Visar Zhiti, por tani jo me veprat e diktatorit por me tekste të reja mësimore. Deri më tash do kishim kursyer rreth 60.000 000 (Gjashtëdhjetë milion Euro) dhe nxënësit do vazhdonin të furnizoheshin me libra falas, do ngritej kultura e leximit si dhe cilësia në arsim.

 Prandaj, projekti ideor, -e jo praktika e zbatuar në Kosovë me vite radhazi,-  që shquhet për të mirë edhe nga Shqipëria edhe nga Mali i Zi, patjetër që vlen të konsiderohet.

‘Meritor’ për këtë gjendje janë në radhë të parë veprimet e paramenduara të krerëve të Institucioneve – por jo për interes të qytetarit as të cilësisë në arsim. A thua a ka ‘merita’ për këtë gjendje në arsim edhe një profesor akademik, një mjek a zyrtar qeveritar apo joqeveritar, një gazetar, një prind fëmija i të cilit i ka marr dy vite me radhë librat e rinj– pa i kthyer librat e klasës paraprake dhënë po ashtu falas? Kjo ndodhë në një nga vendet më të varfëra  evropiane! Për heshtje të madhe ndaj këtij fenomeni së shpejti do te vijmë në gjendje që , fatkeqësisht, askujt mos ti shpërndahen  tekstet falas; Nëse shpenzohen mjete pa përgjegjësi minimale në një ‘imtësi’ si kjo normalisht se nuk do ketë burime të mjaftueshme për paga të merituara të arsimtarëve. Po për motivimin institucional për avancim në karrierë përmes vlerësimit profesional të përformancës? Prandaj, opinioni se për aq sa arsimtarëve, mjekëve, punëtorëve do t’u epen pagat e merituara për aq do të zvogëlohen gjasat për keqpërdorime të buxhetit – si në shembullin konkret. Pse? Sepse rrogën e  arsimtarit të garantuar me ligj nuk mundet askush ta kushtëzoj me ‘dhënien vullnetare’ të 10 apo 20 apo 30 apo 40 apo 50 apo 60%-shit.

Në çfarë pozite do ta vëmë prindin, përfshi arsimtarin që nuk mundet të shkolloj fëmijët e vet? Nëse prindi detyrohet, bie fjala, a do t’iu blej, secilit nga 3 fëmijëve të vet, çdo fillim viti  librat e rinj – apo do ti blej vetëm për njërin ndërsa të tjerët do të shërbehen me librat e përdorur nga anëtarët më të mëdhenj të familjes. Nëse në këtë mënyrë racionale veprojmë në familje pse këtë kulturë nuk e kërkojmë ta ngremë në kulturë shtetërore?  A mos është koha të pyesim dhe të vazhdojmë të pyesim pse, duke u nisur nga vetja si prind, si qytetar.; A mos është koha që secili të përfshihet zëshëm në dialog të madh social? Nëse vazhdojmë të presim që dikush tjetër të na prijë atëherë tepër mirë jemi, ‘për momentumin.’ Liderët historik të shtetit tonë u vranë ose vdiqën. Këta të gjallët nuk po ndihen bash mirë.

Ndonëse mendoj që nënshkrimi i memorandumit parazgjedhor për bashkëpunim i SBASHK me PAN ka qenë gabim që nuk duhet të përsëritet, një gur i vogël i sprovës së shtet ndërtimit mbi baza ligjore dhe të përgjegjësisë ndaj fjalës e premtimit publik  është realizimi, mbajtja e fjalës dhe zgjidhja urgjente e kërkesës së arsimtarëve të vendit me tri opsionet e mundshme të SBASHK. Tejkalimi i vetvetes nga të dyja  palët: të Qeverisë dhe të SBASHK-ut, në një takim brenda ditës sipas traditës demokratike të Lindjes së largët, takim nga i cili nuk dilet pa e gjetur marrëveshjen e arsyeshme, do të shënonte një hap në zhvillimin e vetëdijes shtete formuese dhe një model të mirë për zgjidhjen e sfidave të ngjashme.

Proklamimet në trajtën: “Nëse greva nuk ndërpritet dhe nxënësit vazhdojnë të humbasin orët mësimore, Komuna e Mitrovicës do të kërkoj staf mësimor vullnetar për ta mbajtur mësimin në shkolla” , nuk përkojnë me teorinë dhe praktikën vetëdijen demokratike për angazhimin e secilit për gjetjen e zgjidhjes, në pajtim me ligjet në fuqi.

Perspektiva teorike e këtyre praktikave shprehet në mënyrë origjinale nga Bertrol Brecht, në poezinë e tij( në një shqipërim të lirë): Zgjidhja

/Pas kryengritjes së 17 qershorit/ Sekretari i Bashkimit të Shkrimtarëve/ Kishte shpërndarë fletë qarkorë në Stalinal/ Ku  deklaronte  se njerëzit/ Kishin humbur besimin e qeverisë/ Dhe mund ta fitonin atë vetëm/ Me përpjekje të dyfishuara. A nuk do të ishte më e lehtë/ Për qeverinë në këtë rast/ Që të shpërndajë njerëzit/ Dhe të zgjedh njerëz të tjerë?

Këto proklamime ngjajnë me teori dhe praktika të tejkaluara nga vet mësimdhënësit në të kaluarën jo të largët të vendit tonë. Se si duhet angazhuar secili për të ndihmuar gjetjen e zgjidhjes, deri në gjetjen e zgjidhjes më të arsyeshme,  na tregon vepra dhe veprimtaria e figurave të ndritshme nga Komuna e Mitrovicës si bashkëpunëtori e miku ynë Agim Hajrizi apo kolegu e profesori i nderuar Latif Berisha.

Dua të shpresoj që edhe Kryetari në fjalë, edhe të gjithë që duam një zgjidhje racionale të çështjes do  të angazhohen e të ndihmojmë procesin deri në zgjidhje.

Meritor për gjendjen e krizës në arsim deri më sot janë Ministrat dhe ministritë e arsimit, pa përjashtim, që nga e pari e deri te i parafundit.

Ata që e kanë shkaktuar krizën nuk munden të zgjidhin krizën
në arsim . Pavarësisht çfarë pozita kanë. Por, kanë obligim, si të gjithë të tjerët, të angazhohen pandërprerë për gjetjen e zgjidhjes, urgjentisht, deri në gjetjen e zgjidhjes së arsyeshme në interes të nxënësve, në radhë të parë, si dhe të edukatoreve, arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të vendit.

Fehmi Agani për çështjen e ndarjes: Kosova është një dhe e pandashme

Derisa Serbia të mos gjejë mbështetje në ndonjë shtresë shqiptare, synimet e saj në lidhje me Kosovën janë të dështuara dhe me plot të drejtë sot mund të themi se Serbia luftën në Kosovë e ka humbur” (Agani, 1994).

Nga periudha e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe deri pas Luftës së Dytë Botërore, fillojnë dhe zhvillohen idetë, projektet dhe praktikat për copëtimin e copave të trojeve shqiptare, përfshirë edhe vetë Shqipërinë. Trojet e banuara me shumicë popullatë autoktone shqiptare, u ndanë  nga aneksimet e rianeksimet klasike të dhunshme ushtarake të shteteve përkatëse apo aleancave në mes tyre (ish-MSKS; ish-RSFJ).

“Ndarja e shqiptarëve me krijimin e Shqipërisë në kufijtë e sotëm, ishte një tragjedi e madhe e popullit tonë e cila pamundësoi përparimin në zhvillimin ekonomik, politik dhe kulturor…” theksonte Fehmi Agani (1992). Tragjeditë e mëdha, është thënë, dalin nga portat e kombeve të vogla. Shqiptarët, paraqesin një fenomen se si mbijetuan.

Idetë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës, që nga periudha e okupimit serb e deri në fund të nëntëdhjetave, kanë ardhur nga intelektualët serbë të proviniencës raciste, pavarësisht rreshtimeve të tyre politike. Me pushtimin dhe aneksimin e Kosovës, Serbia “ka zhvilluar një represion të pandërprerë, të gjitha këto në një funksion themelor me qëllim të arritjes së realizimit të atij programi që në Serbi u themelua në vitin 1910, program i ashtuquajtur për Kosovë, i cili parashihte që një prej objektivave kryesore të jetë ndërrimi i strukturës etnike të Kosovës…me dëbimin e shqiptarëve…” (Agani,1994). Kjo ngase ideja e doktrinës së shenjtë serbe, përkatësisht ideja për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve duke shfarosur shqiptarët përmes terrorit sistematik shtetëror serb dhe institucionalizimit të kolonizimit me serbë e malazezë nuk u realizua në plotni. Zgjidhje përfundimtare nënkuptonte dhe nënkupton: Kosova pa shqiptarë. Prandaj Kosova, me shqiptarët që mbijetuan terrorin shtetëror serb dhe mbetën në vatrat e tyre, për ta  u shndërrua në problem në rritje.

Teza për ndarjen e Kosovës është tezë serbe. ‘Babai i nacionalizmit serb’ Dobrica Qosiq, shkrimtar e politikan, është autori i idesë për ndarjen e Kosovës.   Dobrica Qosiq njihej si  ‘Ideolog i pastrimit etnik’ siq do e quaj Jasques Delors, kryetari i komisionit të Bashkimit Evropian. Idenë e vet për ndarjen e ka paraqitur në Mbledhje të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë që me 1968. Me rastin e Demonstratave të  shqiptarëve e viteve 80 për Republikën e Kosovës, do të shënojë në ditarin e vet: ”Kosova për një ose dy dekada do të bëhet një shtet shqiptar. Ajo duhet të ndahet me Shqiptarët”. Qosiqi me 1992 i ka propozuar ndarjen e Kosovës edhe Warren Zimmerman-it, ambasadorit të atëhershëm amerikan ne Beograd, që një pjesë e Kosovës, pjesa lindore, të mbetet në Serbi. Në këtë kohë Ambasadori Amerikan Zimmerman publikisht e gjykon raportin kolonial të Serbisë në Kosovë dhe deklaron se shkelja e të drejtave të njeriut në Kosovë nuk mund të haset në Evropë. Një qëndrim i tillë kolonialist ishte edhe ideja për ndarje të Kosovës. Po më 1992, si ka publikuar një gazetë italiane, propozimi i Qosiqit ka qenë pak më ambicioz: që pjesa qendrore dhe lindore e Kosovës t’i mbetet Sërbisë, ndërsa pjesa tjetër Shqiptarëve.

Nga vitet e ’90-ta, ideja e ndarjes së Kosovës do aktualizohet edhe nga vendet mike të Beogradit zyrtar dhe  të Qosiqit si kryetar i ish-Jugosllavisë së mbetur (1992/’93). Kështu, nga fundi i vitit 1992, asokohe kryeministri i Greqisë, Konstantinos Mitsotakis, ka shtruar po ashtu një plan për ndarjen e  Kosovës, që kanë provuar inicimin, bindjen dhe arritjen e një marrëveshje eventuale për ndarjen e Kosovës, që do të nënkuptonte pëlqim për ndarjen e Kosovës në mes të Shqipërisë dhe të Serbisë. Sipas vet Qosiqit Greqia ka qenë “më e interesuara për marrëdhëniet serbo-shqiptare sepse çështja shqiptare ishte edhe çështje greke”. Projekti i ndarjes nga Qosiqi ju paraqitet në Gjenevë edhe Sajrus Vensit dhe Robert Ovenit, të cilët e refuzojnë nga frika e ndarjes së  BeH dhe Maqedonisë. Në Gjenevë,  Sajrus Vensi e këshillon Qosiqin: “Mos e shtroni çështjen e Kosovës në dhjetë vitet e ardhshme”.

Në një pyetje lidhur me takimin e një grupi, me gjasë, të kolonistëve e pushtetarëve serb nga Kosova, “i  grupit të delegacionit nga Kosmeti me Dobrica Qosiqin mbi njëfarë ndarje të Kosovë-Metohisë” siç është shtruar e  drejtuar nga gazeta Borba e Beogradit, në Janar të ’93-shit, Agani i përgjigjet: ”Kemi dëgjuar dhe përmendet ndarja e Kosovës. E dimë që ideja e tillë ekziston, por kjo për ne është absolutisht e papranueshme. Kosova është edhe në pikëpamje gjeografike, edhe ekonomike dhe shoqërore dhe në çdo pikëpamje tjetër, një tërësi dhe me ndarjen e saj nuk mund të arrihet asnjë zgjidhje” (1993).

Në rrethana  të krizës dhe shpërbërjes së ish-RSFJ-së, kësaj ‘Perandorie të pabarazisë’ siç e quante Agani, si rezultat  i presionit i brendshëm përmes organizimit të lëvizjes paqësore aktive në shkallë vendi, qëndresës e vendosmërisë së  shqiptarëve, kompaktësisë së bindjeve dhe e veprimit të tyre, si edhe presionet e opinionit e shteteve demokratike, veçmas të Presidentit të SHBA-së, Kosova arriti të zhvillojë një lëvizje paqësore aktive masive dhe të fitojë përkrahjen e botës demokratike që deri atëherë pak dinte, nëse dinte për vendin tonë.

Presidenti i SHBA-së George H.W. Bush në përcaktimin e vijave të kuqe për Sërbinë ndaj Kosovës, në letrën e tij të vitit 1992, atëherë presidentit të atëhershëm të Serbisë Slobodan Millosheviç, e paralajmëroi atë të mos shkaktojë me veprimet e veta  një konflikt në Kosovë, ende pjesë nën okupimin e Serbisë, pas shkatërrimit të Jugosllavisë. “Në rast të konfliktit në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi.” (Presidenti George H.W. Bush në letrën drejtuar Sllobodan Millosheviçit, atëherë President i Sërbisë, 25 dhjetor 1992). Ky qëndrim është konfirmuar pas më pak se dy muajve edhe nga Sekretari Shtetërori i ShBA-së, Warren Christopher: “Ne mbetemi të përgatitur për t’u përgjigjur kundër serbëve në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb” (Sekretari i Shtetit, Warren Christopher, 13 shkurt 1993).

Presidenti i SHBA-së George H.W. Bush, vdiq dhe u varros javën e kaluar, me nderimet më të larta shtetërore në SHBA. Në Kosovë u mbajt ditë zie dhe përherë do kujtohet si hero dhe figurë historike me rëndësi kombëtare në vendin tonë dhe ndër shqiptarë. Një shenjë e vogël e respektit të madh u shënua nga mësuesit në të gjithë vendin në Kosovë të cilët i kushtuan orën e parë të mësimit ish-Presidentit Bush të SHBA-ve për kontributin e tij për lirinë e Kosovës dhe marrëdhënieve midis dy vendeve.

Rezultanta e presionit të brendshëm dhe presionit ndërkombëtar të vendeve demokratike me në krye SHBA-të do të bëjnë të tejkalohet bllokada e Kosovës.

“…Duhet t’i jemi mirënjohës asaj pjese të botës e cila na ka sugjeruar të evitojmë luftën për të cilën nuk kemi qenë të përgatitur dhe e cila do të ishte vetëm një aventurë” duke patur parasysh rrethanat, pasojat e mundshme tragjike dhe shembullin e luftës në Bosnje me 200.000 të vrarë e me më shumë se 1.000.000 të shpërngulur.

“Liria është punë shumë e madhe, ka kuptim për të gjallët e jo për të tjerët dhe përderisa  të ketë mundësi njeriu të arrijë diçka pa humbje njerëzore, duhet të provojë vazhdimisht.” Në këto rrethana gjithnjë e më të rënduara lëvizja e shqiptarëve “ka arritur të legjitimojë përfaqësimin politik të interesave të shqiptarëve” (Agani, 1996).

Kosova është e pandashme (1994)

Kosova është e pandashme, është qëndrim i bazuar në të drejtën e patjetërsueshme për vetëvendosje që e shpjegon qartë Profesor Fehmi Agani, sa i përket mundësisë së ndarjes së Kosovës. Argumenton në mënyrë analitike, shpjegon dhe parashikon se: “projektet për ndarjen e Kosovës janë fare të papranueshme. Për shkak të ndërlidhjeve të veta etnike, ekonomike dhe të ndërlidhjeve të tjera, Kosova është e pandashme. Në Mbretërinë Jugosllave Kosova ishte e ndarë në tri banovina, kurse  gjatë Luftës së Dytë Botërore në tri zona të okupuara (të Italisë,  të Gjermanisë dhe të Bullgarisë), megjithatë Kosova ka bërë jetë si një tërësi ekonomike,  shoqërore, madje edhe politike. Fundja, nuk është e mundur ndarja e Kosovës pa zhvendosjen e disa qindra mijë njerëzish. Kush do ta dëshironte apo mund ta pranonte një gjë të tillë?” (Agani, 1994).

Në Kosovën e kohës, pavarësisht peshës së presionit serb nuk ka pasur kurrfarë shtresimesh karshi çështjeve kryesore që kanë pasur të bëjnë me statusin e Kosovës, madje edhe për mënyrën e realizimit të tij. Rreth kësaj çështje në të gjitha partitë politike dhe në mbarë opinionin shqiptar ekzistonte një pajtim i plotë.

Qëndrimet e kryetarit të Republikës, Dr. Rugova, dhe të  kryeministrit “ishin caktuar në mënyrë obligative me Referendumin e vitit 1991 për Kosovën sovrane dhe të pavarur. Përfundimet e referendumit përcaktojnë autorizimet e tyre si dhe përcaktimet e tyre personale rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës”, nënvizonte Agani interpretimin e tij kompetent dhe te përgjegjshëm të autorizimeve obligative të autoriteteve  institucionale te Republikës, pavarësisht nga shpërputhjet eventuale që mund të jenë rezultat i pasaktësive të ndonjë deklarate ose të pasaktësisë së transmetimit të saj.

Qëndrimi i njëjtë i vendosur do të mbahet deri në fund të jetës aq të angazhuar publike dhe do  përsëritet edhe në intervistën e Aganit dhënë Nasa Borba-s më 1998, një vit para çlirimit të vendit: “ Së pari mendoj se Kosova nuk është e mundur të ndahet. Kosova… e paraluftës shtrihej në tri banovina, gjatë okupimit në tri zona okupuese, ndërkaq, megjithatë, ka frymuar me një jetë të përbashkët. Ishte njësi relativisht organike. Së dyti, ju në Kosovë nuk keni komunë ku popullsia serbe është shumicë dhe, për këtë arsye, ndarja do të thotë transferim i mijëra njerëzve andej e këndej. Nuk ka “ transferim human”. Ta përjashtosh dikë nga shtëpia e tij, nga mjedisi i tij, është gjëja më johumane.”

Serbia “më parë do të pranonte ndarjen territoriale të Kosovës sesa protektoratin” (1996).

Në kohëra të paparashikueshme të parashikohen saktë rrjedhat e ngjarjeve, madje të ndikojnë në to në rrjedhat e duhura, është e mundur vetëm nga subjekte aktive dhe studiues e njohës të thellë te realiteti kompleks shoqëror të ndarë në ‘ne’ dhe ‘ata’, në ‘miq’  dhe ‘armiq’, me të gjitha karakteristikat shoqëruese. Gjithnjë në interes të mbrojtjes së të drejtave kolektive dhe individuale njerëzore, pavarësisht origjinës. Në një kohë si kjo, Agani shpjegonte se nuk shihte mundësinë për realizimin e idesë së protektoratit për arsye se “në atë moment që Serbia do ta pranonte protektoratin njëherit do të pranonte se ka marrë fund puna e Kosovës”, dhe vazhdon se Serbia “më parë do të pranonte ndarjen territoriale të Kosovës sesa protektoratin. Por, theksimi i kërkimit të një protektorati ka domethënie ngase  e demonstron përparësinë tonë. Si i këtillë vërtet është shumë i mirë” (Agani, 1996).

Për këto zhvillime i pranojnë ‘gabimet’ e veta vet autorët e Memorandumit serb që inicuan  krimet në ish-RSFJ-në, të Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencës dhe të Arteve ku thuhet se është gabim pse është lejuar  që edhe shqiptarët në Kosovë të quhen Albanci. Pra është fjala për tendencën paramenduar që të krijohet përshtypja se ‘këta’, shqiptarët në Kosovë janë diç tjetër, ndërsa ‘ata’ shqiptarët në Shqipëri janë diçka tjetër; Për krijimin dhe përhapjen përmes termit ‘Shiptar’ të stereotipit racist, ekstrem negativ për shqiptarët.

Pavarësisht oscilimeve të qëndrimeve politike rreth statusit të Kosovës , “Shteti shqiptar dhe vetë doktor Sali Berisha, në të gjitha instancat e ka shtruar çështjen e Kosovës”, nënvizon Agani, “si një prej objektivave kryesore të politikës së Shqipërisë,” i përkushtuar për ta mbështetur Kosovën e për të kundërshtuar të gjitha opsionet për ndarjen e saj.

Kërkesa legjitime për subjektivitetin e shqiptarëve dhe për barazi, si një koncept politik që u shfaq dhe u  artikulua qartë në diskutimet kushtetuese dhe në demonstratat e vitit 1968 për Republikën e Kosovës, që zhvillohet në demonstratat masive më 1981, që vazhdoi me greva e demonstrata kundër suspendimit antikushtetues të Kushtetutës e institucioneve legjitime të Kosovës, u kodifikua si kërkesë gjithëpopullore  dhe u shndërrua në një platformë politike më 1989-1990 kur fillon lëvizja paqësore aktive në shkallë vendi. Këto kërkesa legjitime të shqiptarëve nga forcat e  dominimit e të racizmit institucional serb u refuzuan dhe u ndoqën gjoja si kërkesa për Shqipëri të Madhe. “Pasi s’ishin argumentet, arsyeja, e drejta që të mund t’u kundërviheshin kërkesave normale e legjitime të shqiptarëve, këto kërkesa duhej të pamundësoheshin, madje jo vetëm realizimi, por edhe shprehja, paraqitja e tyre. Kërkesat e shqiptarëve duhej të ilegalizoheshin, t’u merrej e drejta e shfaqjes publike. Dhe për këtë qëllim përdorej etiketa: Shqipëria e Madhe!” (Agani, 1991).

Për aq sa kërkesat legjitime e normale të shqiptarëve  për të drejta e  për barazi do shtrohen për zgjidhje e do shënojnë ndonjë hap përpara (Universitetit, Kushtetuta e vitit ’74…) në një  progresion aritmetik, të drejtë, hap pas hapi, për aq do të shpeshtohet përsëritja e sintagmës ‘Shqipëria e Madhe’ nga Serbia, me një progresion gjeometrik, si  Hitleri që ”akuzon armiqtë e tij pikërisht për ato që haptas i pranon si qëllime të veta! (E.Fromm), që fillon me ndryshimin e strukturës etnike përmes terrorit shtetëror e kolonizmit, dhe vazhdon përmes modelit të kopjuar nga Hitleri i ‘trajtimit të veçantë’ e ‘zgjidhjes përfundimtare të çështjes’  shqiptare’ të Çubrilloviqit(1937;1944.) e deri te dëbimi masiv i shqiptarëve nga shtëpitë e veta, pastrimi etnik, gjenocidi e shfarosja shqiptarëve në territoret e okupuara. Si në vendin e origjinës Ideologjia nacional-socialiste si edhe ajo fashiste serbe “shndërrohej lehtë dhe shpesh nga vetëdija e rrejshme në rrenë të vetëdijshme, ishte demagogji e lakuriqur, proklamim i gënjeshtrave” (Agani); sepse vazhdojnë të ju humbin projektet e bazuara në gjenocid shtetëror, e mbi këtë bazë të ju rrezikohen privilegjet kolonialiste të fituara ndaj të tjerëve, dhe  për ta humbja e privilegjeve  vazhdon të përjetohet, vajtohet e të paraqitet si humbje e barazisë me të tjerët. Serbia për aq sa ka dështuar për zmadhimin dhe ruajtjen e ‘Serbisë së Madhe’ për aq do të vazhdojë të luajë rolin e viktimës së rrezikuar nga “Shqipëria e Madhe”—sintagmë e krijuar nga okupatori dhe kuislingët e tyre, “Bullgaria e Madhe”, “Kroacia e Madhe”…

“S’ka dyshim se politika e sotme serbe ndaj shqiptarëve  është një neoqubrilloviqizëm, një variant i ri, por jo edhe i moderuar, i koncepteve të dëbimit ose të reduktimit maksimal të numrit të shqiptarëve në këto troje”, shpjegon Agani në një nga intervistat e shumta përmbajtjesore e të guximshme të kohës.

Me shkatërrimin e ish-Jugosllavisë shqiptarët janë në një situatë mjaft të vështirë, bile, mund të themi se janë në rrezik, pasi tash ndahen të Kosovës dhe shqiptarë të Maqedonisë – shpjegonte Agani në fillim të vitit 1994.”Ndërkaq, sa i përket  pozitës së shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanovc dhe shqiptarëve në Mal të Zi… “Është një dukuri e çuditshme se si këto troje janë ndarë nga Kosova, pasi shqiptarët e Preshevës dhe Bujanovcit në cdo pikëpamje janë të lidhur me Kosovën, edhe si territor një dukuri e çuditshme se si këto troje janë ndarë nga Kosova, pasi shqiptarët e Preshevës dhe Bujanovcit në çdo pikëpamje janë të lidhur me Kosovën, edhe si territor…”. Shqiptarëve të Preshevës dhe Bujanovcit ishin në pozitë të diskriminuar. Ngjashëm ishin edhe “shqiptarëve të Malit të Zi që momentalisht  janë mjaft të diskriminuar duhet t’u njihet autonomia” (1994).

Fehmi Agani, mendimtari më i thellë i angazhuar për pavarësinë e Kosovës, profesori i njohur i shumicës së udhëheqësve shqiptarë të lëvizjes politike për barazi dhe pavarësi në Kosovë e ish-jugosllaviku luajti rolin integrues të pa zëvendësueshëm deri më sot,  kryediplomati ynë që gëzonte prestigjin dhe respektin edhe të krye-diplomatëve botërorë si Richard Holbrook e Christofer Hill, studiuesi që çështjen e të drejtës së Kosovës për pavarësi si kusht të çlirimit kombëtar e ngriti në nivel shkencor,  për Kosovën si një dhe të pandarë, bëri miq e përkrahës të shumtë si në mesin e shqiptarëve ashtu edhe në botën demokratike.

Në Konferencën e Rambujes u shqua edhe për angazhimin për gjetjen e zgjidhjes më të mirë të mundshme në rrethanat e luftës, në interes të një Kosove të tërë dhe të pavarur.

Për angazhimet në këtë Konferencë, gjatë bisedës, Profesor Agani pat veçuar rolin konstruktiv veçmas të pjesëmarrësve Jakup Krasniqi, Veton Surroi dhe David Philips, që mbajnë qëndrimet e tyre parimore, të përgjegjshme e të qarta edhe kundër idesë së korrigjimit të kufijve: të ndarjes apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Ndarja e Kosovës kundërshtohet edhe nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) Marrëveshja e Brukselit (19 Prill 2013), si dhe nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës (neni 1, alinete 1 dhe 3).

Është ujku

Për ujkun me emër
Derën e shtëpisë
Nuk e hapi vetëm
Bia
E lamë hapur ne
Nga kjo anë, nga ajo anë
Bijtë nga shtëpia.

Kobi shëtit si n’shtëpi t’vet
Ku shkel shkrumbon
e shkreton
e del gur
Edhe për një mur
Që nuk shembet kurrë.

Bjeshka e bardhë

E bukur si borë mbi flokë
Që të merr sytë
Mbi supe ka një diell
Kraharorin e veshur me qiell
Që nuk i ndahet
Deri poshtë në det
Duke e përqafuar çdo ditë të lume
E me mall e përshëndet’.

Qielli i takon asaj që është
Krenare për çdo fjalë
Veç një nuk e di
Çka do të thotë të bie në gjunjë të thyhet
E pasi të thyhet të shkelet
O njeri!

E Bekuar,
Kush të tha ‘Bjeshkë e nëmur’
Kush të nëmi
Bjeshkë e Bardhë emrin kush ta nxiu
Kujt ia zure udhën
E i mbete në fyt
Në det desh të shtyu.

I nëmuri të nëm.

Shën Naumit kush do t’i tregojë

Kur i pashë për herë të parë
Sa fisnikë e të bardhë
Të pavdekshmit e mi
Kokën mbanin lartë
Deri në qiell krifat e gjata
Nuk preknin në tokë
Fluturonin mbi njeri tjetrin
Veç qafën sa s’e thyenin
Dhe prapë ngriheshin
Sikur s’kishte ndodhur gjë
Shën Naumit kush do t’i tregojë i pari
Se erdhëm me një frymë
Të faleshim me të.

Natën pa yje e pa hënë
Kuajt fatkeq u nxinë e ranë
Fryma iu ndal
E këmbët në vend iu prenë
U zbehën e u bënë ujë,
Shkumë u bënë
Sikur t’a ndjenin, sikur më panë
Se u falëm për herë të fundit.

Në fund të ditës
Në mesnatë
Zogu fluturoi si mbret.