Dita ime është mollë e verdhë
E ndarë përgjysmë
Gjysmë e ndarë përgjysmë
Gjysma e gjysmës përgjysmë.
Mos më pyesni
Pse këndoj.
Dita ime është mollë e verdhë
E ndarë përgjysmë
Gjysmë e ndarë përgjysmë
Gjysma e gjysmës përgjysmë.
Mos më pyesni
Pse këndoj.
E bukur si borë mbi flokë
Që të merr sytë
Mbi supe ka një diell
Kraharorin e veshur me qiell
Që nuk i ndahet
Deri poshtë në det
Duke e përqafuar çdo ditë të lume
E me mall e përshëndet’.
Qielli i takon asaj që është
Krenare për çdo fjalë
Veç një nuk e di
Çka do të thotë të bie në gjunjë të thyhet
E pasi të thyhet të shkelet
O njeri!
E Bekuar,
Kush të tha ‘Bjeshkë e nëmur’
Kush të nëmi
Bjeshkë e Bardhë emrin kush ta nxiu
Kujt ia zure udhën
E i mbete në fyt
Në det desh të shtyu.
I nëmuri të nëm.
Kur i pashë për herë të parë
Sa fisnikë e të bardhë
Të pavdekshmit e mi
Kokën mbanin lartë
Deri në qiell krifat e gjata
Nuk preknin në tokë
Fluturonin mbi njeri tjetrin
Veç qafën sa s’e thyenin
Dhe prapë ngriheshin
Sikur s’kishte ndodhur gjë
Shën Naumit kush do t’i tregojë i pari
Se erdhëm me një frymë
Të faleshim me të.
Natën pa yje e pa hënë
Kuajt fatkeq u nxinë e ranë
Fryma iu ndal
E këmbët në vend iu prenë
U zbehën e u bënë ujë,
Shkumë u bënë
Sikur t’a ndjenin, sikur më panë
Se u falëm për herë të fundit.
Në fund të ditës
Në mesnatë
Zogu fluturoi si mbret.
(Fehmi Aganit)
Fole një fjalë
Profesor
Fjalë që shëron,
Kurrë s’kemi pasur më pak
Kurrë s’kemi pasur më shumë
Plagë kur çdo unazë lëngon.
(Fragment nga poema Fole një fjalë, 1999)
Dëgjoni
Dëgjoni ujkun si ulërinë
Ditë e natë
Nga frika
Se mbetet vetëm.
Ujku qanë natën
Kur rriten sytë
Kur sheh më së miri
Kush është kush
Në pritë.
A ka mbetë njeri
Që nuk e di
Çka vjen pas
Larg nesh
Me prekë kush nuk prekë
Si ujku vatrën e vet
Edhe yjet i ndjekë
Po t’i zë një nga një
Të gjitha i shuan
Të gjitha i djeg.
I pari është ai
Që shuan Yllin e fundit.
Ujqit vijnë me tufë
Natën, ditën
Nuk i zë vendi vend
S'i besojnë as hijes së vet
Mendjen e kanë
Si të fshihen
E të fshijnë
Me gjuhën e gjatë
Çdo gjurmë
Të shpirtit pa krah
që e bajnë në qafë
Nga frika
Kujt i mbet një pikë gjak
Në dhëmb, në trup
Një pikë
Vetëm një pikë
Bëhet dhe,
Fryma ik’
Zjarrin në sy e fik’
Për së gjalli
Njëri tjetrin e shqyejnë
Bëhen pre
E gjakut të vet
Që fikë çdo frymë mbi dhe.
Ujku vjen me tufë
Vetëm drita vjen
Vetëm.
Ujqit e shpirtërave
Erdhën me hije
Të huaj, më të madhe se vetja
Kokën mbi re
Erdhën me të shenjtin
Emër
E gur në zemër
Erdhën me vrap,
Vrapi është gjithçka
Syri iu ka mbetë
Te e Vërteta
Derën me ia zënë
Një fjalë mos me ia lënë
Pa ia thyer
Shpirtin
Shpirtin t’ia copëtojnë
Për masë të vet
Copat t’i bashkojnë.
Hëna lartë e ujku poshtë.
Më shikoni sikur njihemi
Sikur jemi parë
Një natë si kjo
Njëmijë vjet më parë
Dilni nga mjegulla si nga pasqyra
Me të njëjtat fytyra
Ka ndërruar vetëm ngjyra.
Ujku në këmbë ulërinë.
Tufë, tufë
Ne ulë rrimë.