Ujqit e kuq

Ujqit vijnë me tufë
Natën, ditën
Nuk i zë vendi vend
S'i besojnë as hijes së vet
Mendjen e kanë
Si të fshihen
E të fshijnë
Me gjuhën e gjatë
Çdo gjurmë
Të shpirtit pa krah
që e bajnë në qafë
Nga frika
Kujt i mbet një pikë gjak
Në dhëmb, në trup
Një pikë
Vetëm një pikë
Bëhet dhe,
Fryma  ik’
Zjarrin në sy e fik’
Për së gjalli
Njëri tjetrin e shqyejnë
Bëhen pre
E gjakut të vet
Që fikë çdo frymë mbi dhe.
Ujku vjen me tufë
Vetëm drita vjen
Vetëm.

Ujqit e shpirtërave

Ujqit e shpirtërave
Erdhën me hije
Të huaj, më të madhe se vetja
Kokën mbi re
Erdhën me të shenjtin
Emër
E gur në zemër
Erdhën me vrap,
Vrapi është gjithçka
Syri iu ka mbetë
Te e Vërteta
Derën me ia zënë
Një fjalë mos me ia lënë
Pa ia thyer
Shpirtin
Shpirtin t’ia copëtojnë
Për masë të vet
Copat t’i bashkojnë.

Hëna lartë e ujku poshtë.