Një natë si kjo

Më shikoni sikur njihemi
Sikur jemi parë
Një natë si kjo
Njëmijë vjet më parë
Dilni nga mjegulla si nga pasqyra
Me të njëjtat fytyra
Ka ndërruar vetëm ngjyra.

E Di PSE KËNDON QYQJA

Kryq e tërthor i rashë Shqipërisë
ta gjeja një njeri
që kërkoja
që ruan kthjelltësinë e krojeve e krenarinë
e majave, nuk qëllon në ballë njeriu që do
të ngrihet mbi vetveten,
për inat
nuk bëhet Dri
që ndan përgjysmë edhe trupin e tij.

E di pse këndon qyqja!

Është mirë të dihet kush është
më i vjetër se historia,
Lekën e Madh kush e lindi
Shën Hjeronimi ynë
Krishterimit udhë i hapi në Iliri
Te-Deumin e meshës së të dielës
kush e shkroi,
Gonxhja çeli, u lut dhe shkoi,
Për Prishtinën
koha është
ta kuptojmë atë që dimë,
ku jemi nisur
pse nuk mbërrijmë,
Për Vlorën, kush e preu orēn,
Mbi Prishtinë cilët shtinë,
Currit jetën kush ia curroi,
Gurakuqit ballin kush ja skuqi...

E di pse këndon qyqja

Përderisa vetë ta qëllojmë njeriun
që Dora e zezë e huqi
përderisa nuk e largojmë urrejtjen
me dashuri nga shpirti
a të bëhemi tok,
a të bëhemi tokë!

'Fjala', Janar-Shkurt, '99, Prishtinë