Fehmi Agani dhe Universiteti

Ky vit shkollor shënon edhe jubileun e  Universitetit të Prishtinës me mësim në gjuhën shqipe, të themeluar në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Sa herë që shënojmë këtë ngjarje, e cila shënon hapin e madh përpara në lëvizjen tonë kombëtare, meritat iu shkojnë edhe themeluesve të Universitetit tonë si: Profesorët Ali Hadri, Mark Krasniqi, Hasan Mekuli, Idriz Ajeti, Dervish Rozhaja, Gazmend Zajmi me bashkëpunëtorë nga radhët e studentëve dhe të profesorëve si Fehmi Agani, i pari nga të njëjtit. Fehmi Agani ishte pjesë e vijës së parë të themelimit, të ngritjes, të zhvillimit dhe  të mbijetesës së  Universitetit të Prishtinës, deri në frymën e fundit të tij. Universiteti i Prishtinës që nga themelimi, u shndërrua në qendër të lëvizjes sonë kombëtare për  të drejta të barabarta deri në çlirimin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Demonstratat e 68-tës dhe  Hapja e Universitetit të Prishtinës shënojnë dy nga ngjarjet kulmore, te kësaj periudhe, ku profesor Fehmi Agani  ishte ndër protagonistët kryesorë.

Fehmi Agani,si intelektual humanist i angazhuar, ka bashkëpunuar ngushtë edhe në organizimin e revoltës së studentëve në demonstrata  të ’68 – siç rrëfen Ilaz Pireva, një nga organizatorët. Ishin këto demonstrata për të drejta të barabarta të shqiptarëve në ish-RSFJ. Agani u angazhua  në artikulimin dhe mbrojtjen e kërkesave të tyre të drejta dhe legjitime për hapjen e Universitetit në gjuhën shqipe. Në funksion të mbrojtjes dhe afirmimit të kërkesave për barazi dhe për hapjen e Universitetit në gjuhën shqipe boton punimin ‘Universitetit dhe krahina’, edhe në revistën Përparimi, (1969, Nr. 8, f. 587- 592.) punimin ‘Universitetit dhe krahina’, që shquhet për përmbajtjen kritike, argumentimet e sintezat në mënyrë shkencore, punim që ishte me peshë të veçantë për jo vetëm për rrethanat e kohës. Që në fillim të punimit autori thekson se “Kushtet e reja shoqërore po shtrojnë detyra dhe kërkesa të reja edhe para shkollimit të lartë. Ato kërkojnë ndryshime të caktuara strukturale dhe procesuale të këtij shkollimi, po shtrojnë kërkesa dhe nevoja të reja lidhur me të. Shkollimi i lartë askund…nuk mund t’i injorojë proceset që rrjedhin nga tendencat e shoqërisë bashkëkohore, nuk mund të ketë drejtim dhe zhvillim divergjent me drejtimin dhe ritmin e zhvillimit shoqëror përgjithesisht. Kompletimi dhe konsolidimi i shkollimit të lartë, drejtë të cilit po shkojmë, është rrjedhim logjik i zhvillimit…”  Në këtë kohë në fakultetet e Kosovës studionin 10.000 studentë dhe autori shtron pyetjen: a mos duken shumë për Kosovën relativisht të pazhvilluar, prej 1,2 milion banorë. Për tu pergjigjur prerazi: “Jo, kurrsesi” dhe për të vazhduar se “…kjo nuk është dukuri e vetmuar, por është shprehje  e veçantë e një procesi të zhvillimit intenziv të shkollimit të lartë…Me shtatë universitete, pa të Prishtinës që po konstituohet, me mbi 100 fakultete dhe mbi 100 studentë ne 10.000 banorë mesatarisht, Jugosllavia qysh para disa vjetësh zu vendin e tretë në botë përkah numri i studentëve në përpjesëtim me popullsinë…”. Çdo tezë dhe argument i ngritur në mënyrë sistematike në këtë punim, të botuar në një revistë publike, është pararojë e procesit të konstituimit të Universitetit të Prishtinës nga proveniencat hegjemoniste zyrtare të kohës, që humbjen e privilegjeve të tyre, e përjetonin dhe e paraqitnin zëshëm si humbje të barazisë.

 Këto teza antishqiptare do të shprehen në gazetën ditore “Politika’, Beograd, e afërt me qarqet zyrtare serbe, që në faqen e parë do botojë shkrimin se shqiptarëve “Ju morem pushkët e ju dhamë topat” –  dihet se çka na kanë dhënë: pushtim e vrasje masive deri në gjenocid e shfarosje të shqiptarëve në territorin me mbi 1000 fshatra me popullsi shqiptare në Serbi. Pronat e këtyre fshatrave edhe sot janë me ‘ Tapia ‘ në pronësi të trashigimtarëve të familjeve shqiptare, që duhet shtruar për zgjidhje në bazë të ligjeve ndërkombtare; Deri më 1878, vetëm në territorin e Sanxhakut të Nisht, kanë qenë 998 fshatra të banura me shumicë shqiptare – Toplica me 372 fshatra, Nishi, kryeqyteti i Sanxhakut, me 248 fshatra, Vranja me 189 fshatra sa edhe Piroti, që është në kufi me Bullgarinë. Këto fshatra i ruajmë, brez pas brezi, si mbiemra tanë kudo ku jetojmë si : Nishliu, Kurshumliu, Toplica, Vranja, Bllaca, Pllana, apo mbiemri Muhaxheri, që është më i përhapuri, dhe pa përjashtim, përfshinë të shpërngulurit e detyruar të shqiptarëve nga vatrat e tyre nga pastrimi etnik dhe gjenocidi shtetror serb….; Asimilimi i dhunshëm i shqiptarëve e konvertimi në serb dhe në konfesionin ortodoks, që të arrijnë të mbijetojnë nga terrori shtetëror, të një pjese të konsiderueshme të shqiptarëve edhe të konfesionit katolik edhe atij islam, ka qenë aq masiv sa që sot konsiderohet se mbi 1/3 e qytetarëve në Serbi nuk munden të jenë serb pa qenë njëherë shqiptar vetëm bazuar në asimilimin e kësaj periudhe nga viti 1878 e pas, duke përjashtuar asimilimet e mëhershme. Mbiemri i përhapur Arnautoviq tek qytetarët serb, apo fillimi i deklarimeve publike të serbeve të afirmuar për prejardhjen e tyre shqiptare, në ditët e sotme, në vitin 2020, kur një pjesë e madhe e qytetarëve që jetojnë në Serbi deklarohen vetëm privatisht, por nuk guxojnë të deklarohen publikisht për përkatësinë apo prejardhjen e tyre shqiptare, shenojnë vetëm pjesën e dukshme të akullnajës së çështjes; Poashtu në Mal të Zi 50 % e popullsisë, pra gjysma e qytetarëve malazez janë me përkatësi ose origjinë shqiptare (Stipe Shuvar, Ligjeratë, Fakulteti Filosofik, Universiteti i Zagrebit, 1981); Ngjashëm ndodh edhe me asimilimin masiv të shqiptarëve në serb apo boshnjak në Kosovë, në Sanxhak përkatësisht në Pazarin e Ri/ Novi Pazar në kuadër të Serbisë; Apo në maqedonas në Maqedoninë e Veriut, duke imponuar tani këtë proces mbi bazën e religjonit të njejtë: shqiptar musliman në boshnjak musliman apo shqiptar ortodoks në maqedonas. Në të gjitha rastet politikat kolonialiste zyrtare serbe, pavarësisht prej ngjyrave të regjimeve, që nga themelimi i tyre, ishin dhe janë subjekte të këtyre krimeve shtetrore masive ndaj popullsisë autoktone shkaku i përkatësisë etnike shqiptare.

Punimi i botuar i Fehmi Aganit është mbrojtje edhe ndaj paragjykimeve të nivelit mamutian të deputetit maqedonas, të proviniences hegjemoniste,  Llazar Kolishevski, thënë në Parlament në Beograd, se: ’Në Prishtinë po ngritet një universitet mamutian’. Ndërsa ne  kishim numrin më të vogël të studentëve për kokë banori, përkundër moshës më të re të banorëve, në krahasimi me të gjitha kombet e tjera. Mësimi po ashtu, në fakultete zhvillohej në  dy gjuhë: në gjuhën shqipe përkatësisht në atë serbokroate.  

Në këto kushte, thekson Agani, shkollimi universitar nuk është një privilegje shoqërore, por shprehje e nevojës së shoqerisë; se shkollimi universitar medoemos bëhet masiv e në mësimi perspektivë edhe shkollimi për të gjithë, në funksion të sigurimit të kuadrove e të lidhjes me jetën ekonomike e shoqërore.

Një mision po kaq i rëndësishëm i qendrës univerzitare, thekson Agani, është funksioni i saj kultural dhe shkencor, në ngritjen e kuadrove te popullsisë shqiptare, që përbën shumicën, “…në at nivel që të munden në mënyrë kompetente e të barabartë, ‘të rrëfejnë – rrëfimin e vet” si do të kishte thënë Kerlezha, për të gjitha aspektet e jetës së tyre, të kaluar e të sotme”.

  Në mjediset shumë kombëtare universiteti duhet të realizojë “me forcën e kuadrove dhe të argumenteve të tij tolerancën e plotë dhe barazinë, jo deklarative, por krijuese dhe të vërtetë. Pa këtë barazi, që është edhe barazi e gjuhëve dhe e shkrimeve si edhe barazi kadrovike dhe kërkimore, as mund të bëhet fjalë për ngritjen dhe zhvillimin e frytshëm te qendrave univerzitare…” Por, kompletimi dhe konsolidimi i qendrës universitare, nënvizon Agani, duhet të marr formën e vet të caktuar institucionale, dhe konkludon: “Universiteti është pikërisht kjo formë.”

Konstituimi i Universitetit të Prishtinës – “për hir të afirmimit të rezultateve të arritura dhe të mundësive të sotme e të ardhshme…, për hir të organizimit më të mirë, të drejtimit më të mirë, e më racional të mundësive tona mësimore e shkencore, që nuk janë aq të mëdha…për të eliminuar ca lidhje të vjetruara,të tejkaluara nga zhvillimi ynë shoqëror i gjertanishëm…sepse,çdo eliminim  i lidhjeve të tejkaluara, qoftë edhe kur ato përkujtojnë relacione të dikurshme të sub-dhe supa ordinimit, vetëm hapin rrugën për relacione të reja…ne mes te institucioneve të shkollimit të lartë të qendrave të ndryshme”, për kontakte, komunikim dhe bashkëpunim më të shëndoshë – konkludon Agani në mënyrën më racionale dhe më të vendosur të mundshme për kohën, kur çdo fjalë e ‘papërshtatshme’ për sistemin gjykohej nga politika si vepër armiqësore, e për çdo vepër armiqësore rrezikohej edhe jeta. 

Kërkesat më të zëshme për themelimin e universitetit të Prishtinës vinin pikërisht nga Profesor Fehmi Agani me disa nga kolegët e tij si Gazmend Zajmi, Ali Hadri, Mark Krasniqi, Hasan Mekuli, Dervish Rozhaja etj. Ishin këta profesorë që i dhanë emër gjeneratës së vet të studimeve në Beograd, që ishin kalitur në kushte të pabarabarta të trajtimit, dhe kishin arritur zgjidhjen se vetëm duke qenë më të mirët e gjeneratës, munden të barazohen me ‘ata’, prej të cilëve cilësoheshin si “ata. Ishte Profesor Gazmend Zajmi plot vetëbesim, që në atë kohë përmendet se e dinte jo vetëm Leksikonin e Vujaklise, se  fliste qartë e rrjedhshëm në gjuhën serbokroate, angleze e franceze si në gjuhën amtare, që shkruante poezi e kompozonte në  gjuhën e Betovenit si Noli ynë; Ishte Profesor Mark Krasniqi që për suksesin e treguar gjatë studimeve, e kishin zgjedhur asistent në Akademinë Serbe të Shkencave dhe Arteve – të cilën e braktisi për tu kthyer në Prishtinë; Ishte Profesor Hasan Mekuli, që me sharmin e tij kur dialogonte a ligjëronte, letërsinë botërore, por edhe letërsinë jugosllave, studiuesit e shkrimtarët e Jugosllavisë i linte me gojë hapur; Ishte Dervish Rozhaja, nga doktorët më të rinjë në ish-Jugoslavi, që  shkuarja e tij në provime gjatë studimeve në Universitetin e Beogradit, ishte ngjarje e shënuar, që i mrekullonte të gjithë me përgjigjet e thella dhe profesionale – që i vlerësonin madje edhe profesorët që nuk  mund ta shihnin në sy, për shkak të përkatsisë së tij kombëtare. Ndërsa amfiteatrot e mëdha  nuk i zinin studentët e të gjitha fakulteteve, nga kureshtja për përgjigjet e tij. Ishte Profesor Agani, i cili në vitet e tetëdhjeta përmendej me respekt, për dijen dhe mençurinë, për zotrimin e dialogut e për thellsitë e  sintezave të tij.

Që në vitet e tetëdhjeta, Profesor Nikolla Qingo, Univerziteti i Shkupit, shoku  gjeneratë së Fehmiut në studime të rregullta në Beograd si dhe në studime postdipomike, deklaron publikisht para disa studentëve të vet shqiptar, sic dëshmon njëri prej tyre, Avdi Behrami, veprimtari i mirënjohur , se po të kishte Kosova tre-katër veta si Fehmi Agani  pavarësinë e ka të sigurtë. Njohësit e mirë të Profesor Fehmiut , si Profesor Qingo, maqedonas me prejardhje shqiptare, e ka parashikuar dhe e ka thënë një të vërtetë.

Prej mesit të viteve të shtatëdhjeta kur kam filluar bashkëpunimin dhe miqësinë e vazhdueshme me Profesor Aganin, për çka ndihem i privilegjuar dhe krenar, Profesor Agani ka qenë poashtu në ballë të çdo lëvizjeje intelektuale, politike dhe shoqërore për mbrojtjen dhe çlirimin e vendit.

Profesor Fehmi Agani i  ka vënë  themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me Sali Çekajn -prijësin e komandantin e parë të grupit të parë të organizuar të ushtrisë sonë që theu kufirin shqiptaro-shqiptar në Dhjetor të vitit 1991, bashkëpunëtorin e çmuar dhe mikun e vet, në takimet gjithëditore sy me sy Shtutgart, në Maj/Qershor të vitit 1991. Deri në takime është shoqëruar nga Shiqeri Azemi, sociolog, ish-student i besushem i Profesor Aganit, bashkëpunëtor i tij dhe Sali Çekajt dhe veprimtar i shquar.

Autoriteti integrues i Profesor Aganit, thjeshtësia e tij deri në madhështi, urtësia deri në vendosmëri për flijim në interes të së mirës e kundër të keqes, për liri e kundër çdo barbarie, do ti mungojë njerëzores  dhe Republikës sonë çdo ditë e më shumë.

Fehmi-Agani_Agim-Hyseni_90-tat_LDK_EI
Fehmi Agani dhe Agim Hyseni me përfaqësues të Education International (Fred van Leeuwen, Sekretar i Përgjithshem, Andre Dumont, AOB, dhe Christopher Heisse, GEW) në Prishtinë, 1993

Greva në arsim dhe zgjidhja

Sistemi arsimor është pjesë përbërëse e shoqërisë që shpreh sfidat, ngritjet dhe rëniet e saj si dhe kahet e zhvillimit. Arsimi në botë po mplaket më shpejtë se arsimtarët. Por çfarë është gjendja në Kosovë? Arsimi në Kosovë sot është në gjendje shumë të mirë, madje  është në gjendje  të shkëlqyeshme në raport me vitin dhe vitet vijuese. Kjo gjendje pasqyrohet dhe bazohet në trajtimin institucional dhe rangimin aktual të arsimit, në vendin që e ka në ligën e prioriteteve institucionale: e dyta në radhë – nga fundi. Gjendja e arsimit pasqyrohet në statusin e  arsimtarit që nuk mundet ti shkolloj fëmijët e vet.

Pozita në të cilën e kemi sjell ne arsimin, duke shkelur dëshirat dhe ëndrrat e nxënësve dhe qytetarëve për shkollim, flet për pasojat e mësimeve të trashëguara nga kolonializmi, tash të shqipëruara. Të gjithë ne dhe shumë të tjerë më të mirë se ne, që nuk janë në mesin tonë, arritëm të ruajmë një sistem të tërë arsimor nga “Ata” por, dështuam ta mbrojmë arsimit nga Ne, nga qytetarët e shoqërisë sonë. Në këto pozitë në të cilën e kemi sjellë veten, ne, lufta ka me qenë si me e ruajt këtë nivel të arsimit që e kemi. Shumica e liderëve dhe partive politike nuk kanë pse të përmenden. Vërtet, pse të përmenden? Po ne, arsimtarët?  Po qytetarët?

Arsimi si prioritet qeveritar kosovar  nënkupton jo vetëm proklamimin e interesimit por edhe planifikimin, zhvillimin i strategjisë së sistemit arsimor cilësor nga institucionet shtetërore në raport me nevojat  dhe kërkesat e tregut. Nënkuptohet zbatimi në praktikë i strategjisë zyrtare për zhvillimin e arsimit. Interesimi i proklamuar nuk ka munguar asnjëherë. Madje për marrjen e këtij dikasteri, vazhdimisht ka pasur konkurrencë të fortë në mes të partnerëve qeveritar, ka pasqyruar edhe vazhdon të shprehë  fuqinë e partisë në koalicionin qeveritar.  Duke ditur interesimin dhe vullnetin e qytetarëve për arsim, të njohur në shkallë botërore si rezistencë paqësore aktive kundër aparteidit shkollor në Kosovë, si të mos shfrytëzohet, si mbulesë, ky vullnet i nxënësve dhe arsimtarëve e prindërve, si të lëshohen nga dora  të gjitha ato mundësi dhe investime kapitale në arsim, për shkolla, konvikte e pajisje të tjera materiale në sistemin më të madh publik në vend. Interesimi i proklamuar për arsim cilësor, d.m.th. për subjekt, për shkollarë ka qenë maskë e përkthyer në praktikë si interesim për objekte, për shkolla- të drejta të rezervuara qeveritare. Objektet pra shkollat duhet emëruar me emrat më të nderuar, që dhanë gjithçka, edhe jetën, për çlirim të vendit. A ka  krim të rënde se sa të vritet i vrari, heroi, atdhetari, përmes keqpërdorimit të emrave të tyre… A janë atdhetarë ata që i kryejnë këto vepra?! Nëse dikush e di që janë keqpërdorur emrat më të mëdhenj të kombit si emra shkollash në lagje, në fshatin a qytetin ku jetojmë, dhe heshtim, madje i zgjedhim keqbërësit, atëherë jemi bashkëfajtorë, dhe i kemi përfaqësuesit që i meritojmë. ‘Populli që zgjedh politikanët e korruptuar nuk është viktimë, por është bashkëpunëtor’.(George Orwell)

  ‘Meritor’ për këtë gjendje deri më sot janë Ministrat e arsimit, pa përjashtim, që nga i  pari e deri te i parafundit. Të shpresojmë që aktualja të ndryshoi. Përveç meritave të përgjithshme për gjendjen në shoqëri ‘meritat’ më të mëdha  për gjendjen në arsimin e lartë i takojnë të parit të vendit, pavarësisht nga pozita si Kryetar partie, Kryeministër apo President, pa pëlqimin e të cilit deri në këtë vit shkollor nuk ka patur mundësi të zgjidhet në mënyrë të pavarur një rektor i vetëm i një  universiteti ‘autonom dhe i pavarur’ në vend. Por, ndoshta këtë nuk e dinë akademikët e profesorët universitetit të Prishtinës a më gjerë – përndryshe do të reagonin. Po nëse e dijnë e heshtin!  As intelektuali nuk është më siç ishte dikur!

Sa më e lartë që ka qenë thirrja dhe titulli i Ministrit të arsimit aq më të larta kanë qenë ‘meritat’ për gjendjen aktuale në arsim.

Pa merita, si duket nuk jam as unë si Zëvendësministër i arsimit, për një mandat.(2008-2011), pavarësisht se kam pranuar detyrën me shpresë që të ndikoje nga brenda kalasë qeveritare në interes të arsimit. Kam shpresuar të kontribuoj si edhe më parë si anëtarë i Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës në Prishtinë gjatë okupimit. Të gjitha projektet a idetë modeste të paraqitura më janë përkrahur nga kabineti:  studimi pa shkëputje nga puna e arsimtarëve; Avancimi në karrierë i arsimtarëve;  Përzgjedhja, përmes konkurrencës së vlerave të përformancës, dhe mirënjohja institucionale e arsimtarëve më të suksesshëm të vitit; Këshilla që në Universitetin e Prizrenit, në formim e sipër, mund t’i hapim, jo më shumë se dy- tri katedra, por të ngritura me standarde evropiane; Çështja e integrimit të teksteve dhe arsimit në gjuhën shqipe në rajon…Por, asnjëra nga propozimet nuk është realizuar siç është miratuar! Po ndalem te kërkesë e paraqitur që në fillim të mandatit tim, çështje e zbatimit të obligimit për shpërndarjen e teksteve falas për nxënës të Republikës, të përkrahur nga kabineti po ashtu njëzëri. Organizojmë konferencë për shtyp në emër të MASHT me të ftuar Drejtorët komunal të arsimit, ekspertë të fushës  dhe media. Në fjalën e rastit theksoj rëndësinë e zbatimin të ligjit  me vendimin për fillimin e shpërndarjes falas; Rëndësinë e kulturës së leximit  që nuk kemi pasur mundësi që ta zhvillojmë normalisht; Zhvillimin e kulturës së ruajtjes së librit si vlerë; si dhe në fund, jo për nga rëndësia, zhvillimin e vetëdijes shtet formuese përmes librit  dhe institucionalizimin e solidaritet në mes të nxënësve – ngase librat bazë do përdoren nga nxënësi për një vit shkollor për ty kthyer pastaj të padëmtuar në shkollë  dhe kështu të fitojnë të drejtën që i njëjti/a të marr librat falas të klasës vijuese. Mesatarisht një libër cilësor do të përdoret 10 vite shkollore. Është kjo praktikë e vendeve më të zhvilluara demokratike.

Prej asaj kohe, për nja 10 vite, ne që zëmë nga vendet e fundit në Evropë për lexim të librit shënojmë nga vendet e para për hedhjen e librave të rinj.  “Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim”, do thoshte Visar Zhiti, por tani jo me veprat e diktatorit por me tekste të reja mësimore. Deri më tash do kishim kursyer rreth 60.000 000 (Gjashtëdhjetë milion Euro) dhe nxënësit do vazhdonin të furnizoheshin me libra falas, do ngritej kultura e leximit si dhe cilësia në arsim.

 Prandaj, projekti ideor, -e jo praktika e zbatuar në Kosovë me vite radhazi,-  që shquhet për të mirë edhe nga Shqipëria edhe nga Mali i Zi, patjetër që vlen të konsiderohet.

‘Meritor’ për këtë gjendje janë në radhë të parë veprimet e paramenduara të krerëve të Institucioneve – por jo për interes të qytetarit as të cilësisë në arsim. A thua a ka ‘merita’ për këtë gjendje në arsim edhe një profesor akademik, një mjek a zyrtar qeveritar apo joqeveritar, një gazetar, një prind fëmija i të cilit i ka marr dy vite me radhë librat e rinj– pa i kthyer librat e klasës paraprake dhënë po ashtu falas? Kjo ndodhë në një nga vendet më të varfëra  evropiane! Për heshtje të madhe ndaj këtij fenomeni së shpejti do te vijmë në gjendje që , fatkeqësisht, askujt mos ti shpërndahen  tekstet falas; Nëse shpenzohen mjete pa përgjegjësi minimale në një ‘imtësi’ si kjo normalisht se nuk do ketë burime të mjaftueshme për paga të merituara të arsimtarëve. Po për motivimin institucional për avancim në karrierë përmes vlerësimit profesional të përformancës? Prandaj, opinioni se për aq sa arsimtarëve, mjekëve, punëtorëve do t’u epen pagat e merituara për aq do të zvogëlohen gjasat për keqpërdorime të buxhetit – si në shembullin konkret. Pse? Sepse rrogën e  arsimtarit të garantuar me ligj nuk mundet askush ta kushtëzoj me ‘dhënien vullnetare’ të 10 apo 20 apo 30 apo 40 apo 50 apo 60%-shit.

Në çfarë pozite do ta vëmë prindin, përfshi arsimtarin që nuk mundet të shkolloj fëmijët e vet? Nëse prindi detyrohet, bie fjala, a do t’iu blej, secilit nga 3 fëmijëve të vet, çdo fillim viti  librat e rinj – apo do ti blej vetëm për njërin ndërsa të tjerët do të shërbehen me librat e përdorur nga anëtarët më të mëdhenj të familjes. Nëse në këtë mënyrë racionale veprojmë në familje pse këtë kulturë nuk e kërkojmë ta ngremë në kulturë shtetërore?  A mos është koha të pyesim dhe të vazhdojmë të pyesim pse, duke u nisur nga vetja si prind, si qytetar.; A mos është koha që secili të përfshihet zëshëm në dialog të madh social? Nëse vazhdojmë të presim që dikush tjetër të na prijë atëherë tepër mirë jemi, ‘për momentumin.’ Liderët historik të shtetit tonë u vranë ose vdiqën. Këta të gjallët nuk po ndihen bash mirë.

Ndonëse mendoj që nënshkrimi i memorandumit parazgjedhor për bashkëpunim i SBASHK me PAN ka qenë gabim që nuk duhet të përsëritet, një gur i vogël i sprovës së shtet ndërtimit mbi baza ligjore dhe të përgjegjësisë ndaj fjalës e premtimit publik  është realizimi, mbajtja e fjalës dhe zgjidhja urgjente e kërkesës së arsimtarëve të vendit me tri opsionet e mundshme të SBASHK. Tejkalimi i vetvetes nga të dyja  palët: të Qeverisë dhe të SBASHK-ut, në një takim brenda ditës sipas traditës demokratike të Lindjes së largët, takim nga i cili nuk dilet pa e gjetur marrëveshjen e arsyeshme, do të shënonte një hap në zhvillimin e vetëdijes shtete formuese dhe një model të mirë për zgjidhjen e sfidave të ngjashme.

Proklamimet në trajtën: “Nëse greva nuk ndërpritet dhe nxënësit vazhdojnë të humbasin orët mësimore, Komuna e Mitrovicës do të kërkoj staf mësimor vullnetar për ta mbajtur mësimin në shkolla” , nuk përkojnë me teorinë dhe praktikën vetëdijen demokratike për angazhimin e secilit për gjetjen e zgjidhjes, në pajtim me ligjet në fuqi.

Perspektiva teorike e këtyre praktikave shprehet në mënyrë origjinale nga Bertrol Brecht, në poezinë e tij( në një shqipërim të lirë): Zgjidhja

/Pas kryengritjes së 17 qershorit/ Sekretari i Bashkimit të Shkrimtarëve/ Kishte shpërndarë fletë qarkorë në Stalinal/ Ku  deklaronte  se njerëzit/ Kishin humbur besimin e qeverisë/ Dhe mund ta fitonin atë vetëm/ Me përpjekje të dyfishuara. A nuk do të ishte më e lehtë/ Për qeverinë në këtë rast/ Që të shpërndajë njerëzit/ Dhe të zgjedh njerëz të tjerë?

Këto proklamime ngjajnë me teori dhe praktika të tejkaluara nga vet mësimdhënësit në të kaluarën jo të largët të vendit tonë. Se si duhet angazhuar secili për të ndihmuar gjetjen e zgjidhjes, deri në gjetjen e zgjidhjes më të arsyeshme,  na tregon vepra dhe veprimtaria e figurave të ndritshme nga Komuna e Mitrovicës si bashkëpunëtori e miku ynë Agim Hajrizi apo kolegu e profesori i nderuar Latif Berisha.

Dua të shpresoj që edhe Kryetari në fjalë, edhe të gjithë që duam një zgjidhje racionale të çështjes do  të angazhohen e të ndihmojmë procesin deri në zgjidhje.

Meritor për gjendjen e krizës në arsim deri më sot janë Ministrat dhe ministritë e arsimit, pa përjashtim, që nga e pari e deri te i parafundit.

Ata që e kanë shkaktuar krizën nuk munden të zgjidhin krizën
në arsim . Pavarësisht çfarë pozita kanë. Por, kanë obligim, si të gjithë të tjerët, të angazhohen pandërprerë për gjetjen e zgjidhjes, urgjentisht, deri në gjetjen e zgjidhjes së arsyeshme në interes të nxënësve, në radhë të parë, si dhe të edukatoreve, arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të vendit.

Fehmi Agani për çështjen e ndarjes: Kosova është një dhe e pandashme

Derisa Serbia të mos gjejë mbështetje në ndonjë shtresë shqiptare, synimet e saj në lidhje me Kosovën janë të dështuara dhe me plot të drejtë sot mund të themi se Serbia luftën në Kosovë e ka humbur” (Agani, 1994).

Nga periudha e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe deri pas Luftës së Dytë Botërore, fillojnë dhe zhvillohen idetë, projektet dhe praktikat për copëtimin e copave të trojeve shqiptare, përfshirë edhe vetë Shqipërinë. Trojet e banuara me shumicë popullatë autoktone shqiptare, u ndanë  nga aneksimet e rianeksimet klasike të dhunshme ushtarake të shteteve përkatëse apo aleancave në mes tyre (ish-MSKS; ish-RSFJ).

“Ndarja e shqiptarëve me krijimin e Shqipërisë në kufijtë e sotëm, ishte një tragjedi e madhe e popullit tonë e cila pamundësoi përparimin në zhvillimin ekonomik, politik dhe kulturor…” theksonte Fehmi Agani (1992). Tragjeditë e mëdha, është thënë, dalin nga portat e kombeve të vogla. Shqiptarët, paraqesin një fenomen se si mbijetuan.

Idetë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës, që nga periudha e okupimit serb e deri në fund të nëntëdhjetave, kanë ardhur nga intelektualët serbë të proviniencës raciste, pavarësisht rreshtimeve të tyre politike. Me pushtimin dhe aneksimin e Kosovës, Serbia “ka zhvilluar një represion të pandërprerë, të gjitha këto në një funksion themelor me qëllim të arritjes së realizimit të atij programi që në Serbi u themelua në vitin 1910, program i ashtuquajtur për Kosovë, i cili parashihte që një prej objektivave kryesore të jetë ndërrimi i strukturës etnike të Kosovës…me dëbimin e shqiptarëve…” (Agani,1994). Kjo ngase ideja e doktrinës së shenjtë serbe, përkatësisht ideja për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve duke shfarosur shqiptarët përmes terrorit sistematik shtetëror serb dhe institucionalizimit të kolonizimit me serbë e malazezë nuk u realizua në plotni. Zgjidhje përfundimtare nënkuptonte dhe nënkupton: Kosova pa shqiptarë. Prandaj Kosova, me shqiptarët që mbijetuan terrorin shtetëror serb dhe mbetën në vatrat e tyre, për ta  u shndërrua në problem në rritje.

Teza për ndarjen e Kosovës është tezë serbe. ‘Babai i nacionalizmit serb’ Dobrica Qosiq, shkrimtar e politikan, është autori i idesë për ndarjen e Kosovës.   Dobrica Qosiq njihej si  ‘Ideolog i pastrimit etnik’ siq do e quaj Jasques Delors, kryetari i komisionit të Bashkimit Evropian. Idenë e vet për ndarjen e ka paraqitur në Mbledhje të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë që me 1968. Me rastin e Demonstratave të  shqiptarëve e viteve 80 për Republikën e Kosovës, do të shënojë në ditarin e vet: ”Kosova për një ose dy dekada do të bëhet një shtet shqiptar. Ajo duhet të ndahet me Shqiptarët”. Qosiqi me 1992 i ka propozuar ndarjen e Kosovës edhe Warren Zimmerman-it, ambasadorit të atëhershëm amerikan ne Beograd, që një pjesë e Kosovës, pjesa lindore, të mbetet në Serbi. Në këtë kohë Ambasadori Amerikan Zimmerman publikisht e gjykon raportin kolonial të Serbisë në Kosovë dhe deklaron se shkelja e të drejtave të njeriut në Kosovë nuk mund të haset në Evropë. Një qëndrim i tillë kolonialist ishte edhe ideja për ndarje të Kosovës. Po më 1992, si ka publikuar një gazetë italiane, propozimi i Qosiqit ka qenë pak më ambicioz: që pjesa qendrore dhe lindore e Kosovës t’i mbetet Sërbisë, ndërsa pjesa tjetër Shqiptarëve.

Nga vitet e ’90-ta, ideja e ndarjes së Kosovës do aktualizohet edhe nga vendet mike të Beogradit zyrtar dhe  të Qosiqit si kryetar i ish-Jugosllavisë së mbetur (1992/’93). Kështu, nga fundi i vitit 1992, asokohe kryeministri i Greqisë, Konstantinos Mitsotakis, ka shtruar po ashtu një plan për ndarjen e  Kosovës, që kanë provuar inicimin, bindjen dhe arritjen e një marrëveshje eventuale për ndarjen e Kosovës, që do të nënkuptonte pëlqim për ndarjen e Kosovës në mes të Shqipërisë dhe të Serbisë. Sipas vet Qosiqit Greqia ka qenë “më e interesuara për marrëdhëniet serbo-shqiptare sepse çështja shqiptare ishte edhe çështje greke”. Projekti i ndarjes nga Qosiqi ju paraqitet në Gjenevë edhe Sajrus Vensit dhe Robert Ovenit, të cilët e refuzojnë nga frika e ndarjes së  BeH dhe Maqedonisë. Në Gjenevë,  Sajrus Vensi e këshillon Qosiqin: “Mos e shtroni çështjen e Kosovës në dhjetë vitet e ardhshme”.

Në një pyetje lidhur me takimin e një grupi, me gjasë, të kolonistëve e pushtetarëve serb nga Kosova, “i  grupit të delegacionit nga Kosmeti me Dobrica Qosiqin mbi njëfarë ndarje të Kosovë-Metohisë” siç është shtruar e  drejtuar nga gazeta Borba e Beogradit, në Janar të ’93-shit, Agani i përgjigjet: ”Kemi dëgjuar dhe përmendet ndarja e Kosovës. E dimë që ideja e tillë ekziston, por kjo për ne është absolutisht e papranueshme. Kosova është edhe në pikëpamje gjeografike, edhe ekonomike dhe shoqërore dhe në çdo pikëpamje tjetër, një tërësi dhe me ndarjen e saj nuk mund të arrihet asnjë zgjidhje” (1993).

Në rrethana  të krizës dhe shpërbërjes së ish-RSFJ-së, kësaj ‘Perandorie të pabarazisë’ siç e quante Agani, si rezultat  i presionit i brendshëm përmes organizimit të lëvizjes paqësore aktive në shkallë vendi, qëndresës e vendosmërisë së  shqiptarëve, kompaktësisë së bindjeve dhe e veprimit të tyre, si edhe presionet e opinionit e shteteve demokratike, veçmas të Presidentit të SHBA-së, Kosova arriti të zhvillojë një lëvizje paqësore aktive masive dhe të fitojë përkrahjen e botës demokratike që deri atëherë pak dinte, nëse dinte për vendin tonë.

Presidenti i SHBA-së George H.W. Bush në përcaktimin e vijave të kuqe për Sërbinë ndaj Kosovës, në letrën e tij të vitit 1992, atëherë presidentit të atëhershëm të Serbisë Slobodan Millosheviç, e paralajmëroi atë të mos shkaktojë me veprimet e veta  një konflikt në Kosovë, ende pjesë nën okupimin e Serbisë, pas shkatërrimit të Jugosllavisë. “Në rast të konfliktit në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi.” (Presidenti George H.W. Bush në letrën drejtuar Sllobodan Millosheviçit, atëherë President i Sërbisë, 25 dhjetor 1992). Ky qëndrim është konfirmuar pas më pak se dy muajve edhe nga Sekretari Shtetërori i ShBA-së, Warren Christopher: “Ne mbetemi të përgatitur për t’u përgjigjur kundër serbëve në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb” (Sekretari i Shtetit, Warren Christopher, 13 shkurt 1993).

Presidenti i SHBA-së George H.W. Bush, vdiq dhe u varros javën e kaluar, me nderimet më të larta shtetërore në SHBA. Në Kosovë u mbajt ditë zie dhe përherë do kujtohet si hero dhe figurë historike me rëndësi kombëtare në vendin tonë dhe ndër shqiptarë. Një shenjë e vogël e respektit të madh u shënua nga mësuesit në të gjithë vendin në Kosovë të cilët i kushtuan orën e parë të mësimit ish-Presidentit Bush të SHBA-ve për kontributin e tij për lirinë e Kosovës dhe marrëdhënieve midis dy vendeve.

Rezultanta e presionit të brendshëm dhe presionit ndërkombëtar të vendeve demokratike me në krye SHBA-të do të bëjnë të tejkalohet bllokada e Kosovës.

“…Duhet t’i jemi mirënjohës asaj pjese të botës e cila na ka sugjeruar të evitojmë luftën për të cilën nuk kemi qenë të përgatitur dhe e cila do të ishte vetëm një aventurë” duke patur parasysh rrethanat, pasojat e mundshme tragjike dhe shembullin e luftës në Bosnje me 200.000 të vrarë e me më shumë se 1.000.000 të shpërngulur.

“Liria është punë shumë e madhe, ka kuptim për të gjallët e jo për të tjerët dhe përderisa  të ketë mundësi njeriu të arrijë diçka pa humbje njerëzore, duhet të provojë vazhdimisht.” Në këto rrethana gjithnjë e më të rënduara lëvizja e shqiptarëve “ka arritur të legjitimojë përfaqësimin politik të interesave të shqiptarëve” (Agani, 1996).

Kosova është e pandashme (1994)

Kosova është e pandashme, është qëndrim i bazuar në të drejtën e patjetërsueshme për vetëvendosje që e shpjegon qartë Profesor Fehmi Agani, sa i përket mundësisë së ndarjes së Kosovës. Argumenton në mënyrë analitike, shpjegon dhe parashikon se: “projektet për ndarjen e Kosovës janë fare të papranueshme. Për shkak të ndërlidhjeve të veta etnike, ekonomike dhe të ndërlidhjeve të tjera, Kosova është e pandashme. Në Mbretërinë Jugosllave Kosova ishte e ndarë në tri banovina, kurse  gjatë Luftës së Dytë Botërore në tri zona të okupuara (të Italisë,  të Gjermanisë dhe të Bullgarisë), megjithatë Kosova ka bërë jetë si një tërësi ekonomike,  shoqërore, madje edhe politike. Fundja, nuk është e mundur ndarja e Kosovës pa zhvendosjen e disa qindra mijë njerëzish. Kush do ta dëshironte apo mund ta pranonte një gjë të tillë?” (Agani, 1994).

Në Kosovën e kohës, pavarësisht peshës së presionit serb nuk ka pasur kurrfarë shtresimesh karshi çështjeve kryesore që kanë pasur të bëjnë me statusin e Kosovës, madje edhe për mënyrën e realizimit të tij. Rreth kësaj çështje në të gjitha partitë politike dhe në mbarë opinionin shqiptar ekzistonte një pajtim i plotë.

Qëndrimet e kryetarit të Republikës, Dr. Rugova, dhe të  kryeministrit “ishin caktuar në mënyrë obligative me Referendumin e vitit 1991 për Kosovën sovrane dhe të pavarur. Përfundimet e referendumit përcaktojnë autorizimet e tyre si dhe përcaktimet e tyre personale rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës”, nënvizonte Agani interpretimin e tij kompetent dhe te përgjegjshëm të autorizimeve obligative të autoriteteve  institucionale te Republikës, pavarësisht nga shpërputhjet eventuale që mund të jenë rezultat i pasaktësive të ndonjë deklarate ose të pasaktësisë së transmetimit të saj.

Qëndrimi i njëjtë i vendosur do të mbahet deri në fund të jetës aq të angazhuar publike dhe do  përsëritet edhe në intervistën e Aganit dhënë Nasa Borba-s më 1998, një vit para çlirimit të vendit: “ Së pari mendoj se Kosova nuk është e mundur të ndahet. Kosova… e paraluftës shtrihej në tri banovina, gjatë okupimit në tri zona okupuese, ndërkaq, megjithatë, ka frymuar me një jetë të përbashkët. Ishte njësi relativisht organike. Së dyti, ju në Kosovë nuk keni komunë ku popullsia serbe është shumicë dhe, për këtë arsye, ndarja do të thotë transferim i mijëra njerëzve andej e këndej. Nuk ka “ transferim human”. Ta përjashtosh dikë nga shtëpia e tij, nga mjedisi i tij, është gjëja më johumane.”

Serbia “më parë do të pranonte ndarjen territoriale të Kosovës sesa protektoratin” (1996).

Në kohëra të paparashikueshme të parashikohen saktë rrjedhat e ngjarjeve, madje të ndikojnë në to në rrjedhat e duhura, është e mundur vetëm nga subjekte aktive dhe studiues e njohës të thellë te realiteti kompleks shoqëror të ndarë në ‘ne’ dhe ‘ata’, në ‘miq’  dhe ‘armiq’, me të gjitha karakteristikat shoqëruese. Gjithnjë në interes të mbrojtjes së të drejtave kolektive dhe individuale njerëzore, pavarësisht origjinës. Në një kohë si kjo, Agani shpjegonte se nuk shihte mundësinë për realizimin e idesë së protektoratit për arsye se “në atë moment që Serbia do ta pranonte protektoratin njëherit do të pranonte se ka marrë fund puna e Kosovës”, dhe vazhdon se Serbia “më parë do të pranonte ndarjen territoriale të Kosovës sesa protektoratin. Por, theksimi i kërkimit të një protektorati ka domethënie ngase  e demonstron përparësinë tonë. Si i këtillë vërtet është shumë i mirë” (Agani, 1996).

Për këto zhvillime i pranojnë ‘gabimet’ e veta vet autorët e Memorandumit serb që inicuan  krimet në ish-RSFJ-në, të Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencës dhe të Arteve ku thuhet se është gabim pse është lejuar  që edhe shqiptarët në Kosovë të quhen Albanci. Pra është fjala për tendencën paramenduar që të krijohet përshtypja se ‘këta’, shqiptarët në Kosovë janë diç tjetër, ndërsa ‘ata’ shqiptarët në Shqipëri janë diçka tjetër; Për krijimin dhe përhapjen përmes termit ‘Shiptar’ të stereotipit racist, ekstrem negativ për shqiptarët.

Pavarësisht oscilimeve të qëndrimeve politike rreth statusit të Kosovës , “Shteti shqiptar dhe vetë doktor Sali Berisha, në të gjitha instancat e ka shtruar çështjen e Kosovës”, nënvizon Agani, “si një prej objektivave kryesore të politikës së Shqipërisë,” i përkushtuar për ta mbështetur Kosovën e për të kundërshtuar të gjitha opsionet për ndarjen e saj.

Kërkesa legjitime për subjektivitetin e shqiptarëve dhe për barazi, si një koncept politik që u shfaq dhe u  artikulua qartë në diskutimet kushtetuese dhe në demonstratat e vitit 1968 për Republikën e Kosovës, që zhvillohet në demonstratat masive më 1981, që vazhdoi me greva e demonstrata kundër suspendimit antikushtetues të Kushtetutës e institucioneve legjitime të Kosovës, u kodifikua si kërkesë gjithëpopullore  dhe u shndërrua në një platformë politike më 1989-1990 kur fillon lëvizja paqësore aktive në shkallë vendi. Këto kërkesa legjitime të shqiptarëve nga forcat e  dominimit e të racizmit institucional serb u refuzuan dhe u ndoqën gjoja si kërkesa për Shqipëri të Madhe. “Pasi s’ishin argumentet, arsyeja, e drejta që të mund t’u kundërviheshin kërkesave normale e legjitime të shqiptarëve, këto kërkesa duhej të pamundësoheshin, madje jo vetëm realizimi, por edhe shprehja, paraqitja e tyre. Kërkesat e shqiptarëve duhej të ilegalizoheshin, t’u merrej e drejta e shfaqjes publike. Dhe për këtë qëllim përdorej etiketa: Shqipëria e Madhe!” (Agani, 1991).

Për aq sa kërkesat legjitime e normale të shqiptarëve  për të drejta e  për barazi do shtrohen për zgjidhje e do shënojnë ndonjë hap përpara (Universitetit, Kushtetuta e vitit ’74…) në një  progresion aritmetik, të drejtë, hap pas hapi, për aq do të shpeshtohet përsëritja e sintagmës ‘Shqipëria e Madhe’ nga Serbia, me një progresion gjeometrik, si  Hitleri që ”akuzon armiqtë e tij pikërisht për ato që haptas i pranon si qëllime të veta! (E.Fromm), që fillon me ndryshimin e strukturës etnike përmes terrorit shtetëror e kolonizmit, dhe vazhdon përmes modelit të kopjuar nga Hitleri i ‘trajtimit të veçantë’ e ‘zgjidhjes përfundimtare të çështjes’  shqiptare’ të Çubrilloviqit(1937;1944.) e deri te dëbimi masiv i shqiptarëve nga shtëpitë e veta, pastrimi etnik, gjenocidi e shfarosja shqiptarëve në territoret e okupuara. Si në vendin e origjinës Ideologjia nacional-socialiste si edhe ajo fashiste serbe “shndërrohej lehtë dhe shpesh nga vetëdija e rrejshme në rrenë të vetëdijshme, ishte demagogji e lakuriqur, proklamim i gënjeshtrave” (Agani); sepse vazhdojnë të ju humbin projektet e bazuara në gjenocid shtetëror, e mbi këtë bazë të ju rrezikohen privilegjet kolonialiste të fituara ndaj të tjerëve, dhe  për ta humbja e privilegjeve  vazhdon të përjetohet, vajtohet e të paraqitet si humbje e barazisë me të tjerët. Serbia për aq sa ka dështuar për zmadhimin dhe ruajtjen e ‘Serbisë së Madhe’ për aq do të vazhdojë të luajë rolin e viktimës së rrezikuar nga “Shqipëria e Madhe”—sintagmë e krijuar nga okupatori dhe kuislingët e tyre, “Bullgaria e Madhe”, “Kroacia e Madhe”…

“S’ka dyshim se politika e sotme serbe ndaj shqiptarëve  është një neoqubrilloviqizëm, një variant i ri, por jo edhe i moderuar, i koncepteve të dëbimit ose të reduktimit maksimal të numrit të shqiptarëve në këto troje”, shpjegon Agani në një nga intervistat e shumta përmbajtjesore e të guximshme të kohës.

Me shkatërrimin e ish-Jugosllavisë shqiptarët janë në një situatë mjaft të vështirë, bile, mund të themi se janë në rrezik, pasi tash ndahen të Kosovës dhe shqiptarë të Maqedonisë – shpjegonte Agani në fillim të vitit 1994.”Ndërkaq, sa i përket  pozitës së shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanovc dhe shqiptarëve në Mal të Zi… “Është një dukuri e çuditshme se si këto troje janë ndarë nga Kosova, pasi shqiptarët e Preshevës dhe Bujanovcit në cdo pikëpamje janë të lidhur me Kosovën, edhe si territor një dukuri e çuditshme se si këto troje janë ndarë nga Kosova, pasi shqiptarët e Preshevës dhe Bujanovcit në çdo pikëpamje janë të lidhur me Kosovën, edhe si territor…”. Shqiptarëve të Preshevës dhe Bujanovcit ishin në pozitë të diskriminuar. Ngjashëm ishin edhe “shqiptarëve të Malit të Zi që momentalisht  janë mjaft të diskriminuar duhet t’u njihet autonomia” (1994).

Fehmi Agani, mendimtari më i thellë i angazhuar për pavarësinë e Kosovës, profesori i njohur i shumicës së udhëheqësve shqiptarë të lëvizjes politike për barazi dhe pavarësi në Kosovë e ish-jugosllaviku luajti rolin integrues të pa zëvendësueshëm deri më sot,  kryediplomati ynë që gëzonte prestigjin dhe respektin edhe të krye-diplomatëve botërorë si Richard Holbrook e Christofer Hill, studiuesi që çështjen e të drejtës së Kosovës për pavarësi si kusht të çlirimit kombëtar e ngriti në nivel shkencor,  për Kosovën si një dhe të pandarë, bëri miq e përkrahës të shumtë si në mesin e shqiptarëve ashtu edhe në botën demokratike.

Në Konferencën e Rambujes u shqua edhe për angazhimin për gjetjen e zgjidhjes më të mirë të mundshme në rrethanat e luftës, në interes të një Kosove të tërë dhe të pavarur.

Për angazhimet në këtë Konferencë, gjatë bisedës, Profesor Agani pat veçuar rolin konstruktiv veçmas të pjesëmarrësve Jakup Krasniqi, Veton Surroi dhe David Philips, që mbajnë qëndrimet e tyre parimore, të përgjegjshme e të qarta edhe kundër idesë së korrigjimit të kufijve: të ndarjes apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Ndarja e Kosovës kundërshtohet edhe nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) Marrëveshja e Brukselit (19 Prill 2013), si dhe nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës (neni 1, alinete 1 dhe 3).