Erdhën bashkë me natën.
Erdhën nga përrallat
E zeza bizantine
Të mos lënë gjë pa bërë.
Në Grand i mbanin varur fjalët
Nuk i shërbejmë shqiptarët,
Kroatët,
e qentë.
E qentë si policia ndërseheshin
Mbi fëmijët e zjarrtë
Pse nuk u shuan
Edhe pasi i dogjën me Sarin e Tabun,
E detyroheshin t’i gëlltisnin fletët e librit
me to po u zunë,
Do t’a pësojnë më keq se fëmija
që me thikë
ia shkruan katër S në kraharor,
Më keq se vajza që i këputën veshin
bashkë me vath,
Se mësuesi që e mbytën në polici
pse u mësonte shkronjat fëmijëve
E me to pastaj do të bënin: Liri!
Jeta jonë është fjala më e lirë serbe.
Erdhën bashkë me natën
Të mos lënë gjë pa bërë
Po ta shkelin tokën e shkrumbojnë
çka lëviz kokën ia shkurtojnë
po ta zunë ditën t’i nxjerrin sytë
-me tre gishta të verbojnë
në vatrën tënde po të behet zotëri
sheh vdekjen me sy
fqiun e vet e lidh së pari
dorën e djathtë që ushqente zogjët
e penës, ia këput duke qeshur
dhe vazhdon rituali,
që nuk kënaqet kurrë
as kur rrjep për së gjalli.
O Zot ku je?!
Ec e ço rrëfimin deri në fund
me fjalë që kullojnë – hata
sa edhe bota e shurdhët dëgjoi
ata janë në gjendje të bëjnë gjithçka.
Nga frika se do mbijë jetë e re,
Me ditë kufomat s’lejohen të varrosen as në arë,
fëmijë, gra, pleq shpërndarë,
dhe foshnja
thith gjiun e nënës së vrarë.
Edhe në natën më të zezë
Yjet ndrijnë,
ndrijnë më shumë!
(Botuar në: ‘Gazetë e re Shqiptare’, 3 Mars 1999)