Fole një fjalë

(Fehmi Aganit)

Fole një fjalë

Profesor

Fjalë që shëron,

Kurrë s’kemi pasur më pak

Kurrë s’kemi pasur më shumë

Plagë kur çdo unazë lëngon.

Fole një fjalë burrë i dheut

Si shkove udhës

Që të tjerët rrinin duke e ëndërruar

Me sy çelë e me sy mshelë,

kahdo që shkove

nga një kullë e ngrite,

Zogjtë i mësove të këndojnë,

të këndojnë shqip

Që përgjithmonë  të jetojnë

Të lirë.

Udhës the, ruaju nga vetja

kur je në paqe me vetveten

Me të tjerët lehtë e ke,

Kah do që të shkosh

Merre rrugën për atdhe

Dëgjo,

Veten  kush s’di ta dëgjojë,

S’di të dëgjojë as të tjerët

Shiko,

Veten shiko në sy,

kur nuk të shikon askush,

Në do të dish të vërtetën

A je vet apo  tjetërkush.

Kur ta kesh mundur veten

Kur t’i kesh fituar të gjitha

Jetën e fjalës së fundit që shëron

Vazhdo sërish udhën e njeriut

Që  kurrë nuk u ngi frymë,

Që nuk ka çka të humbë.

Fjala është jetë, Jeta është fjalë

Një fjalë

Fjal’ që peshon në vend të vet

Kush nuk mund ta luaj.

O më thuaj edhe njëherë,

Miku im,

Më thuaj ç’kemi të re,

Profesor,

fole një fjalë.

Ligjëronte si ai.

Para se ta shuanin

Barbarët.

Prishtinë, 1999.

Leave a comment